21:44 / E Mërkurë, 26 Qershor 2019 / indeksADMonline

Të gjitha pyetjet rreth marrëdhënieve seksuale gjatë shtatzënisë, marrin përgjigje në këtë artikull

Mos ndoshta shtatzënia ju ka zgjuar interesin për marrëdhënie seksuale?

Apo është gjëja e fundit që ju vjen ndër mend? Gjithsesi, duhet të dini disa gjëra për marrëdhëniet seksuale gjatë shtatzënisë.

A ka problem po të kryesh marrëdhënie seksuale gjatë shtatzënisë?

Për sa kohë që shtatzënia ecën normalisht, mund të kryeni marrëdhënie seksuale sa herë të dëshironi, por jo gjithmonë do të keni dëshirë. Në fillim, luhatjet hormonale, lodhja dhe të përzierat mund t’jua venisin dëshirën për seks. Gjatë tremujorit të dytë, rritja e qarkullimit të gjakut drejt organit gjenital dhe gjoksit, mund të zgjojë dëshirën për të kryer marrëdhënie. Por në tremujorin e tretë, entuziazmi juaj për seksin mund të shuhet nga shtimi në peshë, dhimbjet e shpinës dhe simptomat e tjera.

A ka mundësi që marrëdhëniet seksuale të jenë shkak për abort?

Shumë çifte shqetësohen për faktin se marrëdhëniet seksuale gjatë shtatzënisë mund të shkaktojnë abort, veçanërisht gjatë tremujorit të parë, por seksi nuk paraqet asnjë problem. Shkaqet e aborteve në fillimet e shtatzënisë, lidhen më tepër me anomalitë e kromozomeve apo me probleme të tjera që mund të ketë fetusi. Jo gjithmonë ka lidhje me gjithçka që ju bëni apo nuk bëni.

A dëmtohet fetusi gjatë marrëdhënieve seksuale? Fetusi mbrohet nga lëngu

amniotik në mitrën tuaj, si dhe nga tapa e mukozës që bllokon qafën e saj gjatë thuajse gjithë shtatzënisë. Ndaj, marrëdhëniet seksuale nuk e dëmtojnë aspak fetusin.

Cilat janë pozicionet më të mira seksuale gjatë shtatzënisë?

Për sa kohë që ju ndiheni mirë, edhe gjatë shtatzënisë mund të përdorni thuajse shumicën e pozicioneve seksuale. Teksa muajt ikin, eksperimentoni për të gjetur atë që ju duket më i miri.

Në vend që të shtriheni me shpinë, ndoshta doni të shtriheni përkrah partnerit, të pozicionoheni sipër ose edhe përpara tij.

A nxit orgazma lindjen e parakohshme?

Orgazma mund të shkaktojë kontraktime të mitrës, të cilat ndryshojnë nga kontraktimet që do të ndieni gjatë dhimbjeve të lindjes. Në rast se shtatzënia nuk ka probleme, orgazmat, me ose pa kryer marrëdhënie seksuale, nuk e rrisin rrezikun për lindje të parakohshme. Gjithashtu, edhe marrëdhëniet në vetvete nuk e nxisin lindjen, edhe nëse data e parashikuar për të lindur mund të jetë shumë pranë.

Në ç’raste duhen shmangur marrëdhëniet seksuale?

Pjesa dërrmuese e grave mund të kryejnë marrëdhënie gjatë shtatzënisë, por ndonjëherë, është më mirë të tregoheni të kujdesshme. Mjeku mund t’ju këshillojë t’i shmangni ato nëse:

* rrezikoni të keni lindje të parakohshme;

* keni gjakderdhje të pashpjegueshme;

* keni rrjedhje të lëngut amniotik;

* qafa e mitrës fillon të hapet para kohe (inkompetenca cervikale);

* placenta mbulon pjesërisht ose tërësisht hapjen e qafës së mitrës (placenta previa).