13:07 / E Hënë, 15 Qershor 2020 / indeksADMonline

Vendimet, që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e saj të pestë të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime dhe politika të fushave të saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi i parë i miratuar i kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme ka qenë miratimi i Planit të punës së Qeverisë për vitin 2020 dhe Planit indikativ të punës së Qeverisë për vitet 2021 dhe 2022. Plani bazohet në programin Qeverisës 2020-2023 dhe ka identifikuar të gjitha veprimet dhe aktivitetet e institucioneve qeveritare për zbatimin e tij. Pjesë e Planit të miratuar janë edhe: Plani legjislativ 2020; Plani i dokumenteve strategjike; dhe Lista e koncept-dokumenteve për politikat qeveritare që planifikohen gjatë vitit 2020.

Në vazhdim të mbledhjes, kabineti qeveritar ka miratuar Planin vjetor të statistikave zyrtare për vitin 2021, me sugjerimin që Agjencia e Statistikave e Kosovës të harmonizojë implikimet financiare të këtij plani me Ligjin për buxhetin e vitit 2021. Agjencia e Statistikave e Kosovës, gjithashtu është obliguar për zbatimin e këtij plani. Plani synon realizimin e objektivave të identifikuara në Programin e statistikave zyrtare 2018-2022 dhe ka për objektiv kryesor krijimin e një sistemi të qëndrueshëm statistikor, zgjerimin e prodhimeve dhe hulumtimeve të reja si edhe përmirësimin e cilësisë së statistikave zyrtare. Agjencia e Statistikave e Kosovës synon edhe shkurtimin e afateve në procesin e prodhimit, me qëllim të ofrimit të të dhënave zyrtare të shfrytëzuesit në kohën më optimale të mundshme.

Është miratuar edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimit të rregullores për fushat e përgjegjësive administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrive. Qëllimi i kësaj rregulloreje është ndryshimi dhe plotësimi i Rregullores me zëvendësimin e shtojcës për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Në vazhdim të mbledhjes është miratuar edhe Rregullorja për kufijtë e dozave dhe mbrojtjen nga rrezatimi. Kjo rregullore përcakton nivelin e referencës dhe kufizimet e dozave për ekspozimet profesionale, publike dhe mjekësore; kufijtë e dozave për punonjësit e ekspozuar, praktikantët, studentët dhe punëtorët e jashtëm të angazhuar në situata emergjente; si dhe nivelin e kufijve të radonit në vendet e punës.

Kabineti qeveritar ka konfirmuar vullnetin për vendimet e Qeverisë që kanë mbetur në procedurat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria rekomandon që të procedohen më tej për shqyrtim në procedurat e Kuvendit Raporti i statistikave zyrtare për vitin 2019 dhe Raporti tremujor financiar për vitin 2020, ndërsa të tërhiqen nga procedurat e Kuvendit Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale dhe Programi kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së ztabilizim-zsociimit 2020-2024.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e pikës 5 të vendimit të Qeverisë të 31 majit 2020 sipas të cilit përveç pikave kufitare në Merdare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë, hapen kufijtë tokësorë në Republikën e Kosovës edhe pikat e kalimit të kufirit Qafë- Prush, Qafë- Morinë, Muqibabë dhe Mutivodë. Vendimi do të hyjë në fuqi nga 22 qershori i këtij viti.

Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme i ka rekomanduar presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë ministrin e Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së kredisë midis Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore për financimin e “Projektit emergjent COVID-19 për Kosovën”.

Në parim është miratuarr edhe vendimi për nismën e miratimit të “Protokollit numër 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda CEFTA-s”. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të zhvillojë këto negociata në kuadër të Marrëveshjes për ndryshimin dhe aderimin në Marrëveshjen për tregti të lirë në Evropën Qendrore. Synimi i këtyre marrëveshjeve është zgjidhja e kontesteve tregtare midis vendeve nënshkruese dhe do të jetë pjesë integrale e Marrëveshjes së CEFTA-s.

Ka marrë miratimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës edhe vendimi për nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare trepalëshe ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufirit. Marrëveshjen në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës do ta negociojë Ministria e Punëve të Brendshme. Marrëveshja synon shkëmbimin e informatave dhe rritjen e kontrollit të kalimit të lirë të kufirit në funksion të luftimit të kontrabandës dhe migrimit ilegal.

Kryeministri ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të fillojnë punën në finalizimin- hartimin e rregulloreve për organizimin e brendshëm dhe për sistematizimin e vendeve të punës brenda secilës ministri si dhe  ka paralajmëruar kabinetin qeveritar që nesër kabineti të diskutojë Projektligjin për rishikimin e buxhetit për vitin 2020.