Të gjithë fëmijët e lindur, më 2020 do të marrin paketën me 120 euro, në Vushtrri

Fëmijët të cilët kanë ardhur në këtë jetë që nga data 1 janar 2020 do të kenë të drejtë që të marrin paketën mbështetëse prej 120 eurosh në Komunën e Vushtrrisë.
Këtë e ka bërë të ditur vet kryetari i kësaj komune, për IndeksOnline, Xhafer Tahiri.
Tahiri në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se kjo politikë e re sociale ka për qëllim mbështetjen e çifteve të reja në komunën që ai drejton.
“Paketa 120 euro ka për qëllim që të mbështesë familjet për të sapolindurit në Vushtrri. Ka për qëllim që sado pak t’ua lehtësojë, sidomos çifteve të reja, në fillimin e ri të familjes së tyre.
Duke u bazuar në nevoja që kemi dhe në kufijtë buxhetor, realisht vitin e kaluar ne kemi rritur të hyrat vetjake të komunës, që na ka mundësuar të nisim këtë politikë të re sociale”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtuar se praktika e shpërndarjes së paketës prej 120 eurosh, do të fillojë pas aprovimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, në Kuvend.
“Vendim ka kaluar në kuvend, mirëpo po presim gatishmërinë edhe nga Ministria e MAPL-së, pasta që të lëshohet buxheti dhe kur të aprovohet buxheti i vitit do të fillojnë procedurat për mbështetjen e familjeve. Do të thotë se do të përfshihen të gjithë fëmijët e lindur në vitin 2020”, ka thënë ai.
Kryetari i Vushtrrisë ka shpejguar se procedurat e aplikimit për për paketën 120 euro do të jenë të thjeshta./IndeksOnline/