Të gjithë sytë nga Venezuela, gjigantët e naftës gati për t’i shtënë në dorë rezervat më të mëdha të botës
Me 303 miliardë fuçi, sipas Institutit Energjitik të Londrës, Venezuela është mbajtësja më e madhe e rezervave të naftës në botë (17% e totalit global), krahasuar me 240 miliardë të Arabisë Saudite, shkruan La Repubblica. A mjaftojnë për të justifikuar një ndërhyrje që shkund gjithë baraspeshën botërore?
Historia tregon se gjigantët amerikanë të naftës janë përpjekur ta shfrytëzojnë këtë pasuri që në 1914 kur u shpua pusi i parë i naftës, Mene Grande në liqenin Maracaibo dhe nxiti kërkimin për arin e zi që përmendi Trump në një konferencë gjatë së shtunës duke thënë se “kompanitë amerikane do të dynden” dhe sqaroi se “SHBA-ja do të udhëheqë vendin gjatë transicionit.” Venezuela s’ka vetëm naftë, prodhon edhe gaz me Eni për furnizim vendës dhe tani grupi italian mund të zgjerojë biznesin në bashkëpunim me amerikanët.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit e Caracasit kanë qenë gjithnjë të trazuara për shkak të komploteve, diktatorëve, ndryshimeve të papritura të regjimit dhe disa momenteve të shkurtra demokracie në Venezuelë. Koncensionet e para të naftës me Exxon, Chevron, Conoco-Phillips, Texaco dhe kompani të tjera “motra” datojnë që në 1940-a, të lidhura me rritjen e kërkesës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas saj, përballja me konkurrencën e prodhuesve të Lindjes së Mesme, Caracas propozoi aleancën me “armiqtë” si Irani, Iraku, Arabia Saudite dhe Kuvajti, duke krijuar OPEC-un në 1960 dhe më vonë u zgjerua te prodhues të tjerë. Synimi ishte të përballej me dominancën e gjigantëve amerikanë, por përçarjet brenda kartelit të cilat u nxitën në heshtje nga Shtetet e Bashkuara, mbetën një pengesë.
Ndërkohë në 1976, Venezuela shtetëzoi prodhimin, duke vendosur përfitime të përbashkëta 50-50 me partnerët perëndimorë që më vonë u ndryshuan në 60-40 në favor të qeverisë, me gjithë tensionet që pasuan. E vetmja periudhë demokracie dhe reformash në këto dekada ishte në 1990 kur Petroleos de Venezuela njihej si e besueshme dhe efikase. Më 1999, zgjedhja e Chávezit bëri që situata të përshkallëzonte në gradën e tashme. Maduro erdhi në pushtet në 2013 dhe sanksionet e eksportit datojnë që në administratën e parë të Trumpit, 2017-2019.
Venezuela është përkohësisht e përjashtuar nga OPEC-u bashkë me Libinë e Iranin dhe nën embargon amerikane, nuk merr pjesë në vendimet për kuotat dhe çmimet. Për të dielën është caktuar një mbledhje e OPEC-ut, por ekspertët nuk presin zhvillime të rëndësishme. “Çmimet”, thotë Davide Tabarelli, presidenti i Nomisma Energia, “janë në një baraspeshë të brishtë, rreth 60 dollarë për një fuçi: ky nivel i ulët e lejoi Trumpit të vepronte dhe meqë shqetësimi i tij është nafta që aktualisht kushton 2 dollarë galoni, nuk rriten. Nëse çmimet do të ishin në nivelet e marsit 2022, pas sulmit rus në Ukrainë dhe kulmit të 120 dollarëve për një fuçi, do ta kishte menduar dy herë.”
Burimet e përtërishme të energjisë, makinat elektrike dhe teknologjitë që kursejnë energji, të gjithë faktorët që ulin kërkesën për naftë duhet të merren në konsideratë.
Sipas ekonomistit Patrice Geoffron, rritjet e çmimeve të shkaktuara nga “lufta” e re e Trumpit “nuk duhet të kalojnë 10-20% e kufizuar vetëm në pjesën e naftës bruto, të pazëvendësueshme, të prodhuar në Venezuelë dhe të përpunuar në rafineritë e specializuara në jug të Shteteve të Bashkuara”.
Një tjetër faktor është Kina: pavarësisht se është një kliente e rëndësishme për naftën bruto “klandestine” të eksportuar nga Caracasi, Pekini po ndihmon Venezuelën të rindërtojë infrastrukturën e rrënuar të naftës duke nxitur frikën se mund të fitojë një pozicion të rëndësishëm. Sipas CNN-it, do të duhen 58 miliardë dollarë që prodhimi të kthehet në nivele të pranueshme.

