Të kërkuar për drogë dhe armëmbajtje, kapen dy shqiptarë në Gjermani e në Britani

Policia e shtetit informon se falë bashkëpunimit me partnerët në Gjermani dhe në Mbretëri të Bashkuara është bërë i mundur arrestimi gjatë ditëve të fundit i dy personave të shpallur në kërkim.
Në Gjermani është ndaluar për qëllim ekstradimi shtetasi Danjel Lalaj 21 vjeç, i lindur në Pukë, pasi GJKKO-ja, në vitin 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
Teksa në Mbretëri të Bashkuar, u kap Bekim Çelaj 25 vjeç, i lindur në Tropojë, pasi gjykata në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri./Indeksonline/