21:24 / E Shtunë, 16 Janar 2021 / OSH

Të miturit problematik në Kosovë/ Të dënuar për vrasje të rëndë, dhunë, vjedhje ..

41 të mitur janë duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan për veprat penale që kanë kryer, shkruan IndeksOnline.

Në mesin e tyre është vetëm një e mitur e gjinisë femërore e cila është e vendosur në Qendrën Korrektuese për Femra Lipjan.

Sipas të dhënave nga Shërbimi Korrektues i Kosovës mbi ta rëndojnë kryesisht veprat si: Vrasje e Rëndë, Dhunë në familje, Lëndim i rëndë trupor, Lëndim i lehtë trupor, Vjedhje, Vjedhje e rëndë, Grabitje etj.

Përveç Masës Edukativo- Korrektuese ku janë 20 të mitur, 7 të tjerëjanë të dënuar me burgim për të miturit.

“Në Qendrën Edukuese Korrektuese Lipjan janë 06 të mitur me Masë Edukativo- Korrektuese (tipi i hapur).

Në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan është kjo gjendje: Me Masë Edukativo- Korrektuese janë 20 të mitur, të mitur me dënim me burgim për të mitur janë 7 të mitur, të mitur të paraburgosur janë 9 të mitur.

Në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan janë gjithsej 36 të mitur + 6 të mitur në QEKL. Ndërsa të gjinisë femërore vetëm 1 është e mitur, e njëjta është e vendosur në Qendrën Korrektuese për Femra Lipjan”, tha zëdhënësi i SHKK-së për IndeksOnline, Florent Gashi.

Gashi bëri të ditur se dënimi më i lartë për të miturit me dënim me burgim është prej 5 deri në 9 vite e 6 muaj.

Por këta të mitur në burg kanë mundësi të shkollohen dhe të marrin një zanat.

Zëdhënësi Gashi për IndeksOnline bëri të ditur se të miturit në burgje mund të kryjnë trajnime profesionale dhe t’i vijojnë shkollimin fillor të mesëm dhe atë universitar.

“Kryejnë trajnime profesionale si për murator, elektricist, instalues i ujit, etj.

“I vijojnë shkollimin fillor, të mesëm në paralelet e ndara të shkollës fillore dhe shkollës së mesme profesionale në Lipjan,  si dhe fakultetet publike dhe private ( ligjëratat  ndiqen online)”, përfundoi ai.

Kushtet e rënduara socio-ekonomike, niveli i ultë dhe jo cilësor edukativo-arsimor, mungesa e angazhimit të prindërve në mënyrën e duhur – neglizhenca prindërore, rrethi social, abuzimi me duhan, drogë, alkool e deri te politikat e dobëta institucionale karshi mirëqenies psikologjike të të miturve sipas psikologut klinik, Sami Hajrullahu  po ndikojnë në kryerjen e veprave penale tek të miturit.

“Këshillimi psikologjik është mjaft efikas në trajtimin e agresivitetit tek të miturit ku nëpërmjet tij të miturit mund të mësojnë metoda efikase se si të përballen me situata të ndryshme agresive dhe në këtë mënyrë të mësojnë të ulin nivelin e agresivitetit në familje, shkollë, rrugë etj. Në disa raste më specifike të miturit mund të kenë nevojë për një trajtim më të specializuar psh. në rastet kur ata mund të kenë simptoma më të rënda depresioni apo ndonjë qrregullim më të rëndë të natyrës psikiatrike ateherë ata rekomandohën që të vizitojnë edhe psikiatrin e fëmijëve dhe një kombinim i qasjes psikiatrike-psikologjike do të ndihmonte këto raste jashtëzakonisht mire”, tha ai, për IndeksOnline.

Hajrullahu i cili merret me rehabilitimin e të miturve dilikuent tash e 15 vite tha se  pandemia  ka ndikuar mjaft negativisht tek të miturit.

“ Për pasojë kemi nivele më të larta të ankthit, depresionit dhe crregullimeve emocionale që vijnë direkt nga karantinimi, izolimi sociale, distancimi fizik etj”, shtoi ai./IndeksOnline/