75 Mall Live Search
11:28 / E Mërkurë, 05 Korrik 2023 / AR

Të moshuarit në Gjermani përfitojnë më shumë metra katrorë për banim

Sa më i vjetër të jetë dikush, aq më shumë metra katrorë ka për jetesë, raporton Enti Gjerman i Statistikave. Është gjithnjë e më e vështirë për të rinjtë që të përballojnë një apartament më të madh.

Të moshuarit në Gjermani – dhe jo vetëm në Gjermani – kujtojnë kohët kur një pagë mesatare mund të mbulonte edhe shpenzimet për një çatie mbi kokë, pra për sigurimin e një shtëpie apo vendbanimi tjetër. Ndërsa për të rinjtë, këto histori duken si një përrallë, sepse me rritjen e çmimeve të pronave të paluajtshme, opsioni i tyre i vetëm për të siguruar një kulm mbi kokë është shpesh marrja e një kredie që duhet ta kthejnë me dekada të tëra, me perspektiva të pasigurta për ta shlyer këtë kredi.

Kjo nuk është e vetmja arsye pse të moshuarit kanë, mesatarisht, dukshëm më shumë hapësirë ​​banimi në dispozicion. Një rol luan edhe fakti që fëmijët largohen nga shtëpia apo apartamenti, ose partneri i jetës vdes, dhe më pas pensionisti mbetet vetëm në një apartament apo shtëpi të madhe.

Edhe nëse ata jetojnë me qira, shpesh nuk ia vlen të lëvizin nga vendbanimi në një apartament më të vogël, sepse qiramarrësit janë të mbrojtur fort në Gjermani, veçanërisht nëse marrin me qira të njëjtën pronë për një kohë të gjatë. Ndaj edhe çmimet nuk mund të rriten shpejtë për ata.

Nuk është e rrallë që, le të themi, në Berlin, qiramarrësi që banon kaherë në një apartament paguan vetëm disa qindra euro në muaj për një apartament të madh. Ndërsa fqinjët, të cilët sapo janë vendosur në një apartament të ngjashëm, paguajnë dhjetë herë më shumë.

Më së vështiri për familjet me fëmijë

Për shkak të gjithë kësaj, të dhënat e shpallura këto ditë nga Enti Federal i Statistikave nuk janë befasuese: Familjet në të cilat “kreu i shtëpisë” – personi me të ardhurat kryesore – është mbi 65 vjeç, kanë mesatarisht 68,5 metra katrorë për person!

Nëse të moshuarit jetojnë vetëm, atëherë ata kanë edhe më shumë – mesatarisht 83 metra katrorë. Rreth 27 për qind e beqarëve të moshuar kanë më shumë se 100 metra katrorë për vete.

Në grupmoshën 45 deri në 64 vjeç, njerëzit kanë në dispozicion mesatarisht 54,8 metra katrorë. Siç pritej, të rinjtë kanë shumë më pak hapësirë në dispozicion, sepse ata kanë zakonisht kanë edhe fëmijë në familje. Kështu, atje ku kryefamiljari është nga 25 deri në 44 vjeç, çdo person në familje ka mesatarisht 44,7 metra katrorë. Ndërsa atje ku kryefamiljari është më i ri se 25 vjeç,  ka 45,4 metra katrorë.

Edhe pse çdo gjë ka shpjegimin e vet, situata është e e habitshme – familjet e reja që kanë nevojë për më shumë hapësirë ​​kanë më pak. Ndërsa të moshuarit, që realisht nuk kanë nevojë për aq sipërfaqe, jetojnë me hapësirë më të madhe.

“Në gjashtë nga dhjetë raste, të moshuarit jetojnë në apartamentet e tyre për më shumë se dy dekada,” thotë Daniel Zimmerman, nga Zyra e Statistikave. Dhe sa më herët të hyjë dikush në këtë sistem të pagesave, aq më i ulët është çmimi dhe aq më e madhe është hapësira.

“Ata shpesh jetojnë vetëm. Prandaj, ndër të tjera, ky grup ka mesatarisht sasinë më të madhe të hapësirës së jetesës për person”, shton Zimmerman./Media Ndërtimi