11:54 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020

Të moshuarit protestojnë para Kuvendit: Me hajna s’ka shtet

Derisa seanca e Kuvendit të Kosovës për Qeverinë e re ka nisur të mbahet, jashtë ndërtesës janë mbledhur me dhjetëra qytetarë që po kundërshtojnë formimin e qeverisë së re.

Ata thonë se po i manipulohet vota e tyre, andaj duan zgjedhje të reja.

Duke brohoritur” “Me hajna, me hajna nuk ka shtet” dhe “Albin Kurti” janë duke kundërshtuar fuqishëm formimin e Qeverisë së re.

Flutra Zymi, e cila thotë se po proteston në mbrojtje të qytetarëve dhe jo të partive politike. Ai u shpreh e zhgënjyer që siç tha ajo votat janë manipuluar.

“Sepse vota ime është manipulu, tjetër çka kanë premtu në zgjedhje gjatë fushatës dhe tjetër po ndodh. Kjo është vjedhje e plotë e votës duhet të shkojmë në zgjedhje… I gjithë populli duhet me mbrojt këtë manipulim. Nuk do të thotë që qytetarët nuk din me organizu protesta, nuk kem nevojë partitë politike me na tregu çka me bo, vet vendosim”, thotë ajo.

Kurse, Shukri Retkoceri, ditën e sotme e cilësoi si ditë të kobshme për kombin shqiptar.

“Që e kanë përpiluar Kushtetutën, ata kanë thënë zgjedhje të reja, sepse Albin Kurti nuk ka dhënë dorëheqjen”, tha ai.

Njëri nga protestuesit tha se në vend që Gjykata Kushtetuese të marrë veprimin për ta ndërprerë krimin në Kosovë, ata gjejnë kurajon që të sjellë me forcë Qeverinë e re.

“Me shpreh dëshpërimin deri në pafundësi, saqë sot mendoj që është një ditë që në tërë Kosovën të vendosën në gjysmë shtizë, të shpallej ditë zie sepse po kthehet krimi në krim, kriminelet në vendin e krimit dhe për të qen absurditeti edhe më shumë me ndihmën e gjykatës”, tha ai.