Të paktën 30 të vrarë nga një sulm në tregun e Nigerisë
Të paktën 30 persona u vranë dhe disa të tjerë u rrëmbyen kur persona të armatosur sulmuan një treg në shtetin Niger të Nigerisë, tha policia të dielën.
Zëdhënësi i policisë, Wasiu Abiodun, tha se personat e armatosur, të quajtur në nivel lokal banditë, sulmuan tregun Kasuwan Daji në fshatin Demo rreth orës 16:30 të së shtunës duke djegur tezga dhe duke plaçkitur artikuj ushqimorë, shkruan Reuters.
“Mbi 30 viktima humbën jetën gjatë sulmit dhe disa persona u rrëmbyen gjithashtu. Po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar viktimat e rrëmbyera”, tha Abiodun.

