Të paktën 67 palestinezë humbën jetën në Gaza, u sulmuan ndërsa prisnin ndihma humanitare

Të paktën 67 palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në veri të Gazës, ndërsa prisnin ndihma humanitare në zonën al Sudaniya, sipas zyrtarëve të spitalit al Shifa. Drejtori i këtij spitali konfirmoi se vetëm në al Shifa janë sjellë 45 trupa pa jetë, ndërsa tre spitale të tjera në zonë raportuan për shumë viktima të tjera.
Ky është një ndër rastet më të rënda të dhunës ndaj civilëve që presin ushqim dhe ndihmë, ndërsa sipas burimeve mjekësore, në javët e fundit qindra palestinezë janë vrarë në rrethana të ngjashme.
Të shtunën, forcat izraelite u akuzuan për vrasjen e të paktën 32 personave në zonën Teina të Rripit të Gazës, ndërkohë që ushtria izraelite ka lëshuar urdhra për evakuim masiv në pjesën qendrore të Gazës, përfshirë zonën e Deir al Balah, ku janë grumbulluar mijëra palestinezë të zhvendosur.
Urdhrat për evakuim kanë ngjallur frikë për një ofensivë të re tokësore, ndërsa familjet e pengjeve izraelite kanë shprehur shqetësim të madh se të afërmit e tyre mund të ndodhen në zonat e rrezikuara. Ndërkohë, situata humanitare në Gaza mbetet jashtëzakonisht e rëndë, me mungesë të theksuar ushqimesh, uji dhe shërbimesh mjekësore.