13:56 / E Hënë, 24 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Të parët që sollën kokainën kolumbiane në Shqipëri, ja kujt i shkoi sot formulari i OFL-së

Lekë alias Frederik Durda dhe Arben Berballa, dy të akuzuarit për trafik kokaine nga Kolumbia më 2001 janë personat e radhës që u dërgohet formulari i vetëdeklarimit të pasurisë nga OFL-ja.

Kjo është dhe dosja e parë e kokainës në Shqipëri.

“Në kuadër të Aktit normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL-ja u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve: L. D., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, “Armëmbajtja pa leje”, “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve apo vizave” e kryer në bashkëpunim;A. B., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”tha zëdhënësja e OFL.

Këta individë, si subjekt i Ligjit special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48-orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL-ja bën me dije se të gjithë personat që u është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin normativ nr. 1, të 31 janarit 2020.