75 Mall Live Search
09:51 / E Mërkurë, 04 Shkurt 2026 / b l

Të premten protestohet kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Dy organizata të shoqërisë civile, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja”, kanë paralajmëruar një protestë kundër rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë proces si të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.

Protesta do të mbahet këtë të premte në orën 13:00, me grumbullim pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa marshimi do të përfundojë para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në reagimin e tyre publik, organizatat theksojnë se që nga viti 2022 qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të faturave të rrymës, të cilat, sipas tyre, janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në favor të kompanisë KEDS dhe në dëm të interesit publik.

Sipas deklaratës, konsumatorët nuk po paguajnë vetëm çmimin e energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë private. Organizatat kritikojnë edhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë muajve të dimrit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që shtrenjtimi i rrymës ka në rritjen e kostos së jetesës.

Ato rikujtojnë se vitin e kaluar është miratuar një rritje prej 16.1 për qind, ndërsa këtë vit po paralajmërohet një tjetër rritje rreth 20 për qind, të cilën e konsiderojnë të papranueshme. Sipas tyre, KEDS-i përfiton duke blerë energji me çmime të ulëta nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumë më të larta.

Në kuadër të protestës, organizatorët kanë parashtruar dy kërkesa kryesore: refuzimin e menjëhershëm të çdo rritjeje të re të çmimit të energjisë elektrike dhe nisjen e procedurave për kthimin e KEDS-it në pronësi publike.

Organizatat u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se mobilizimi qytetar është thelbësor për mbrojtjen e interesit publik dhe përballjen me, siç e quajnë ata, praktikat e dëmshme shumëvjeçare në sektorin e energjisë.