Të rejat nga tregu i futbollit
Më të fundit nga bota e madhe e tregut të futbollit, ku ofertat apo zërat për transferime lojtarësh nuk mungojnë asnjëherë.
E premte, 26 Prill
Leicester ofron 20 milionë euro për sulmuesin e Spalit
Leicesteri po ndjek me vëmendje sulmuesin e Spalitm, Andrea Petagna dhe është gati të paguajë 20 milionë euro, për ta marrë atë në Angli. Andrea Petagna po zhvillon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij, pasi ka shkuar në kuotën e 14 golave deri tani.
Inter kërkon Sanchez, por kiliani duhet të ulë pretendimet
Marotta ka një ide “të çmendur” për të sjellë Alexis Sanchez te Interi dhe i ka propozuar kilenit një rol prej protagonisti në projektin e klubit. Megjithatë më së pari duhet që Sanchez të pranojë uljen e rrogës, pasi Interi nuk i ofron 24 milionë euro në sezon.
Klopp “i mbyll derën” Lorenzo Insignes
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp “i ka mbyllur dyert” kapitenit të Napolit, Lorenzo Insigne. “Është një futbollist shumë i mirë, por ka një kontratë afatgjatë me Napolin dhe nuk do të provojmë ta marrim”, tha gjermani.
Tottenhami gjen te Roma, zëvendësuesin e Ericsen
Klubi anglez i Tottenham ka hyrë në garë për të marrë shërbimet e mesfushorit të Romës, Nicolo Zaniolo. Ky i fundit shihet si zëvendësuesi ideal i danezit Ericsen, që pritet të largohet në verë.
Malcom drejt largimit nga Barça, e duan në Itali dhe Angli
Sulmuesi brazilian Malcom pritet të largohet nga Barcelona në verë, pas vetëm një viti në Katalunjë. Për Malcom ka oferta të shumta nga kampionati anglez (Arsenal dhe Tottenham) dhe ai italian (Milan e Inter).
E enjte, 25 Prill
Milan synon afrimin e Malcom
Milani po punon për të transferuar në Itali sulmuesin brazilian të Barcelonës, Malcom. Ky i fundit nuk po gjen hapësira te katalanët dhe Leonardo është ofruar ta marrë në huazim me të drejtë blerjeje, kundrejt 35 milionë eurove.
Monaco bën gati ofertën për Joao Marion
Mesfushori portugez Joao Mario duket se do të largohet në fund të sezonit nga Interi, ndërsa interes të fortë për të po shfaq skuadra e Monacos. Francezët kanë gati 25 milionë euro, për të blerë përfundimisht kartonin e tij.
Mourinho përjashton rikthimin në Premier League
Të gjithë presin me kuriozitet të mësojnë se cila do të jetë skuadra e re e Jose Mourinhos, ndërsa sot portugezi ka përjashtuar një nga opsionet. Në nëj intervistë për transmetuesin DAZN, Mou theksoi se nuk do të kthehet në Premier League.
Juve, edhe Jerome Boateng në listën e përforcimeve
Përveç grekut Manolas, në listën e përforcimeve të mundshme të prapavijës së Juventusit, ka përfunduar edhe Jerome Boateng. Qendërmbrojtësi gjerman nuk bën më pjesë në planet e Bayernit të Mynihut dhe do të largohet këtë verë.
Sane i pakënaqur te City, pritet largimi në verë
Sulmuesi anësor Leroy Sane nuk gëzon marrëdhënie të mira me Pep Guardiolën dhe pritet të largohet nga Manchesteri këtë verë. për sulmuesin gjerman po shfaq interes të fortë skuadra e Bayernit të Mynihut.
E mërkurë, 24 Prill
Juventus ofron 36 milionë euro për mbrojtësin grek Manolas
Juventusi është në kërkim të një qendërmbrojtësi me eksperiencë, për ta vënë në krah të Bonuccit dhe emri që ka përfunduar në krye të listës, është ai i grekut të Romës, Kostas Manolas.
Wolfsburg zgjedh trajnerin e ri
Skuadra gjermane e Wolfsburgut ka njoftuar sot se ka vendosur t’i besojë pankinën Oliver Glasnerit. Ish trajneri i Linz ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare dhe do të nisë punë në korrik.
Pep Guardiola konfirmon Mahrez edhe për sezonin e ardhshëm
Në prag të derbit të Manchesterit kundër Unitedit, trajneri i Cityt, Pep Guardiola ka theksuar se fantazisti Rijad Mahrez do të mbetet me “citizens” edhe për sezonin e ardhshëm.
Gattuso mohon zërat për një kalim në Angli
Trajneri i Milanit, Genaro Gattuso mohoi zërat që e lidhin të ardhmen e tij me skuadrën angleze të Newcastle Unitedit. “Mendesin e kam mik dhe nuk e kam takuar për çështje pune. Unë mbetem trajner i Milanit”, tha italiani.
PSG bën ofertën e parë për Icardin
Paris Saint Germain ka kthyer sytë nga Mauro Icardi dhe është gati t’i ofrojë Interit 70 milionë euro për kartonin e sulmuesit argjentinas.
E martë, 23 Prill
Yaya Toure nuk ka ndërmend të tërhiqet, synon SHBA-të ose Kinën
Ish mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli dhe se shikon SHBA-të dhe Azinë, si vendet ku mund të vijojë karrierën.
Interi futet në garë për talentin maroken të Ajaxit
Interi është në kërkim të një sulmuesi anësor dhe së fundi në skenë ka dalë emri i marokenit të Ajaxit, Hakim Ziyech, kartoni i të cilit kushton rreth 35-40 milionë euro.
Renato Sanchez paralajmëron largimin nga Bayerni i Mynihut
Mesfushori portugez Renato Sanchez ka paralajmëruar largimin nga Bayerni i Mynihut në fund të sezonit, pasi nuk është i kënaqur me minutazhin e aktivizimit.
Katër skuadra kërkojnë mbrojtësin e majtë të Fiorentinës
Milan, Inter, Roma dhe Paris Saint Germain janë 4 skuadrat që kanë kërkuar informacion zyrtar për transferimin e mbrojtësit të Fiorentinës, Cristian Biraghi.
Edhe Marseille kërkon Stiven Nzonzi
Pas vetëm një sezoni te Roma, mesfushori francez Steven Nzonzi nuk ka bindur dhe ka ndërmend të largohet. Pas Lyonit, së fundi ka qenë edhe Marseille që ka shfaqur interes për mesfushorin kampion bote me Francën.