Të reshurat e shiut vështirësojnë disa zona në Drenas

Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë orëve të vona të së dielës dhe të hënës, kanë shkaktuar ngritje të nivelit të ujit në disa zona, sidomos në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj, përkatësisht të rreth rrotullimi në fshatin Polluzhë, por edhe në disa pjesë të tjera.
Komuna e Drenasit ka njoftuar se që nga mëngjesi, ekipet emergjente janë në teren dhe po monitorojnë situatën dhe janë duke intervenuar në ato zona ku niveli i ujit është më i madh.
Nuk ka vërshime në shtëpi banimi, vetëm në disa segmente rrugore, siç është rasti të rreth rrotullimi në fshatin Polluzhë si dhe mbyllje të kanalizimeve.
Komuna e Drenasit, kërkon nga Ministria e Infrastrukturës që të intervenojnë në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj, pasi që është në kompetencë të nivelit qendror. Ndërsa fton qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe t’i shmangen vendeve ku uji ka vështirësuar qarkullimin.