75 Mall Live Search
23:22 / E Hënë, 11 Maj 2026 / b l

“Të shohim në vitin 2027”, Konjufca nuk pret nismë për takime të reja të dialogut sivjet

Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se nuk pret ndonjë nismë për takime të reja gjatë këtij viti, shkruan Reporteri.net.

Ai ka thënë se mbetet të shihet vitin tjetër se si do të zhvillohen gjërat.

Konjufca deklaroi se shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dhe 27 shtetet anëtare u shprehën të gatshme që të ndihmojnë në ndërtimin e mirëbesimit, nuk pret ndonjë nismë për ndonjë takim të ri së shpejti.

“Të shohim në vitin 2027 sesi do të zhvillohen gjërat, por për shkak të zhvillimeve nuk pres diçka, as ndonjë iniciativë evropiane shumë të fokusuar në këto muajt e vitit që kanë mbetur”, ka deklaruar Konjufca.

I pyetur për deklaratat e Kallas se takimet e nivelit të lartë në dialog po shtyhen për shkak të cikleve të shpeshta zgjedhore në Kosovë, Konjufca ka thënë se kjo nuk po bëhet për faj të Kosovës.

“Kjo nuk është me fajin tonë. Edhe zgjedhjet në Kosovë duhet t’i kuptojnë nga një aspekt i demokracisë, edhe i kapaciteteve tona shtetërore që kanë kërkuar kohë të gjatë të ndërtohen, ashtu që sistemi politik dhe demokracia të mund t’i absorbojë edhe krizat politike”, ka shtuar Konjufca.

Takimi i fundit në nivel liderësh mes Kosovës dhe Serbisë ishte zhvilluar në shtator të vitit 2023, disa ditë para sulmit terrorist në Banjskë, kur u vra heroi Afrim Bunjaku.

Konjufca, tha se problemi kyç në dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë është “goditja në mirëbesim”, që sipas tij, i ka dhënë Beogradi.

“Si mundemi ne të ulemi dhe të negociojmë me një palë e cila përderisa ne jemi të ulur në tavolinën e dialogut ata prapa shpine organizojnë aksione të cilat e godasin Kosovën në integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Pra, që të mund të ndodhë dialogu duhet një mirëbesim dhe për t’u fituar mirëbesimi nuk është e lehtë sepse ai ka pësuar goditje të rënda sidomos me këto dy sulmet që ne i kemi parë”, tha Konjufca”, ka thënë Konjufca.