Të shtënat fatale në “Rust”, gjyqi i Alec Baldwinit do të fillojë me përzgjedhjen e jurisë

Gjyqi i Alec Baldwin për vrasjen e kineastes do të fillojë të martën me përzgjedhjen e jurisë që do të vendos nëse aktori është fajtor për vrasje të pavullnetshme.
Të zgjidhesh për të shërbyer në një gjyq të një ylli kaq të madh të akuzuar për një krim kaq të madh do të ishte e pazakontë edhe në Los Anxhelos ose në qytetin e lindjes së Baldëinit, në Nju Jork. Por në thelb do të jetë një përvojë e padëgjuar për ata që zgjidhen si anëtarë të jurisë në Santa Fe, New Mexico, megjithëse shteti është bërë gjithnjë e më shumë një qendër e prodhimit të Hollivudit në vitet e fundit, raporton Associated Press.
Baldwin, 66 vjeç, mund të marrë deri në 18 muaj burg nëse juristët vendosin njëzëri se ai e kreu krimin kur një revolver që po drejtonte drejt kineastes Halyna Hutchins shkrepi, duke e vrarë atë dhe duke plagosur regjisorin Joel Souza gjatë një prove për filmin perëndimor “Rust” në tetor 2021 në Bonanza Creek Ranch, rreth 29 kilometra nga vendi ku po mbahet gjyqi.
Ylli i “30 Rock” dhe “The Hunt for Red October” bëri paraqitjen e tij të parë në sallën e gjyqit të hënën, kur gjyqtarja Mary Marlowe Summer, në një fitore të rëndësishme për mbrojtjen, vendosi në një seancë paragjyqësore se roli i Baldëin si bashkëproducent në “Rust” nuk është i rëndësishëm për provën.
Gjykatësja ka thënë se rrethanat e veçanta të një gjyqi të famshëm nuk duhet ta pengojnë përzgjedhjen e jurisë të lëvizë shpejt dhe se deklaratat hapëse duhet të fillojnë të mërkurën.
“Unë nuk jam e shqetësuar se mund të zgjedh një juri brenda një dite,” tha Marloëe Summer. “Unë mendoj se ne do të zgjedhim një juri deri pasdite”
Prokurorja speciale Kari Morrissey, megjithatë, ishte e dyshimtë se avokatët e Baldwinit, me të cilët ajo është përplasur në prag të gjyqit, do ta bënin të mundur këtë.
Unë mendoj se me këtë grup avokatësh mbrojtës, kjo nuk do të ndodhë “, tha Morrissey në seancë.
Avokati i Baldwinit, Alex Spiro u përgjigj: “Unë kurrë nuk kam zgjedhur një juri brenda një dite. Nuk mund ta imagjinoj se kjo do të ishte hera e parë”.
Dhjetra juristë të mundshëm do të sillen në sallën e gjyqit për t’u marrë në pyetje të martën në mëngjes. Kamerat që do të mbajnë pjesën tjetër të procedurave do të fiken për të mbrojtur privatësinë e tyre. Juristët pritet të marrin çështjen pas një gjyqi nëntëditor.
Avokatët do të mund të kërkojnë shkarkimin e tyre për konflikte ose shkaqe të tjera. Mbrojtja sipas ligjit të shtetit mund të shkarkojë deri në pesë anëtarë të jurisë pa dhënë arsye, prokuroria tre.