75 Mall Live Search
12:21 / E Premte, 06 Mars 2026 / P M

Të tjerët u vranë, ai ishte i vetmi që u mbijetoi të gjitha atentateve: Irani ekzekuton shefin e njësive elitare!?

Ai u mbijetoi disa sulmeve në të cilat të gjithë të tjerët u vranë. Ishte i vetmi që nuk u paraqit në takimin gjatë të cilit u vra ajatollahu. Gjithashtu, ishte i vetmi që nuk gjendej në “listën e shënjestrave” të Izraelit.

Esmail Qaani ka një aftësi të pazakontë – ai gjithmonë del pa therë në këmbë nga takimet ku të gjithë të tjerët vdesin.

Tani që Irani është në luftë me SHBA-në dhe Izraelin, kanë filluar përsëri spekulimet rreth fatit të komandantit të Forcës Quds dhe nëse Garda Revolucionare (IRGC) e ka arrestuar atë apo ndoshta e ka ekzekutuar për spiunazh për Izraelin, shkruan The National News.

Një profil në platformën sociale X postoi pretendimin e mëposhtëm: “Esmail Qaani, udhëheqësi i Forcës Quds të Iranit, është ekzekutuar nga IRGC-ja. Ai i mbijetoi të gjitha përpjekjeve të mëparshme për atentate dhe madje ishte me Khamenein gjatë bombardimeve amerikano-izraelite, por iku. Ai ishte ndaluar më parë nga IRGC me dyshimin se ishte agjent i Mossadit”.

I njëjti pretendim u shfaq edhe në profile të tjera.

Qaani, 67 vjeç, mori komandën e Forcës Quds të IRGC-së në janar 2020 pas vrasjes së paraardhësit të tij, Qassem Soleimani, nga SHBA-të në Bagdad.

Forca Quds është njësia elitare e operacioneve të jashtme të Iranit, një njësi që ka ndërtuar, armatosur dhe koordinuar rezistencën në të gjithë Lindjen e Mesme.

Por gjatë mandatit të tij, ky “bosht rezistence” është shkatërruar në masë të madhe. Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka vdekur. Udhëheqësi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka vdekur, si dhe dhjetëra komandantë të lartë iranianë.

Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, u vra së fundmi, së bashku me disa anëtarë të lartë të establishmentit të sigurisë së Iranit.

Por emri i Qaanit nuk u përmend midis të vrarëve. Mbijetesa e tij e mrekullueshme nga disa atentate në të cilat vdiqën të gjithë të tjerët ka ngritur dyshime.

Gjatë luftës 12-ditore Iran-Izrael, ai u shpall i vdekur nga shumë media përpara se të rishfaqej në një festë publike në Teheran në fund të qershorit 2025, i veshur me rroba civile dhe një kapelë bejsbolli, me sa dukej në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Një incident i ngjashëm ndodhi në tetor 2024, kur ai u shpall i vdekur, por më pas u mor në pyetje dhe më pas u rishfaq në televizionin shtetëror.

Larg mediave sociale dhe pas një ndërhyrjeje shkatërruese izraelite ndaj Hezbollahut që i lejoi atij të eliminonte sistematikisht udhëheqjen e grupit, Irani ka nisur një hetim formal mbi shkeljen e sigurisë. Burime rajonale të paidentifikuara u thanë mediave se Qaani dhe ekipi i tij janë në izolim dhe po merren në pyetje.

Izraeli ka publikuar një listë të zyrtarëve iranianë dhe të lidhur me Iranin që dëshiron t’i eliminojë. Fundjavën e kaluar, lista u shpall “e plotë”. Është interesante se emri i Qaanit nuk ishte në listë.