Të tronditur nga vrasja e liderit të Hamasit, Irani e aleatët po e shqyrtojnë përgjigjen

Vrasja në Teheran e Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja e ka tronditur rajonin, duke e rritur përsëri mundësinë e një luftë të përgjithshme midis Iranit dhe armikut të tij të përbetuar, Izraelit.
Haniyeh u vra mëngjesin e 31 korrikut në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masud Pezeshkian, në parlament.
Kjo është vrasja më e fundit në një varg vrasjesh brenda dhe përreth kryeqytetit iranian në vitet e fundit, për të cilat Republika Islamike e ka fajësuar Izraelin. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për asnjërën prej këtyre vrasjeve.
Analistët thonë se vrasja e Haniyehut është goditje e rëndë për reputacionin tanimë të njollosur të organeve të sigurisë së Iranit dhe se do ta nxisë Teheranin të hakmerret. Megjithatë, përgjigjja nuk pritet të vijë drejtpërdrejt nga Republika Islamike.
Pak orë para vrasjes së liderit palestinez, Izraeli tha se e vrau një komandant të lartë të grupit militant libanez, Hezbollah, në një sulm ajror në Bejrut.
Yossi Melman, analist me bazë në Tel-Aviv dhe korrespondent i të përditshmes izraelite Haartez, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se Hezbollahu, i cili gëzon mbështetjen e Iranit, “do të duhet të përgjigjet” sapo ta ketë “marrë veten nga tronditjet dhe traumat”.