75 Mall Live Search
13:47 / E Martë, 17 Shtator 2019 / indeksADMonline

Teatri “Adriana” shkëlqen me “Koprracin”, në Kajro

Shfaqja “Koprraci” e teatrit “Adriana” të Ferizajt, me regji të Elmaze Nurës e hapi edicionin e 26-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor dhe Eksperimental që mbahet nga 11 deri më 19 shtator 2019 në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro.

Shfaqja ferizajase ka pasur dy prezantime në këtë festival, më 11 dhe 12 shtator.

Për shfaqjen kosovare, u dhanë vlerësime të larta nga kritikët e teatrit, për regjinë, lojën, skenografinë, muzikën etj.

Publiku që kishte mbushur sallën e teatrit në qendër të Kajros, e ka pritur me duartrokitje lojën e aktorëve kosovarë. Në artikujt e publikuar pas dhënies së shfaqjes, “Koprraci” është cilësuar si një ndër shfaqjet mbresëlënëse të edicionit të sivjemë.

Drejtuesi i festivalit, Sameh Mahran, u shpreh me tone pozitive për prezantimin e Kosovës. Ai theksoi se kjo shfaqje solli vlera në CIFCET, me të gjitha elementet e saj.

Regjisorja Elmaze Nura, falenderoi teatrin dhe Komunën e Ferizajt për mbështetjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme artistike. “Ishte një prezantim dinjitoz me “Koprracin”, një punë shumë e madhe, që u shpërblye me pritjen që na e bënë në Kajro”, ka thënë Nura.

Bashkë me ekipin e teatrit, ishte edhe drejtoresha e Kulturës e Ferizajt, Xhemile Murati – Shabani. Ajo u shpreh e impresionuar nga festivali dhe paraqitja e suksessshme e trupës, duke potencuar se artistët duhet të mbështeteten, sidomos në ngjarje të këtyre përmasave botërore.

Pjesëmarrja e teatrit “Adriana” në festivalin e Kajros është paraqitja e parë e këtij teatri para një audiencë të tillë ndërkombëtare, ndërsa është mundësuar nga Komuna e Ferizajt.

Në shfaqje luajnë: Mevlan Saraçi, Vjosa Abazi, Jajush Ramadani, Blin Sylejmani, Ali Krasniqi, Milot Salihu, Uratë Shabani, Sherif Bega dhe Doruntinë Xhemajli.

Skenografia nga Zeni Ballazhi, kostumet Alma Krasniqi, muzika Gëzim Hasani dhe ndriçimi nga Hajrullah Elezi.

Kjo është hera e dytë për regjisoren Nura që merr pjesë në një festival të këtij niveli të lartë, ku janë prezantuar emrat më të mëdhenj botërorë të teatrit. Ajo është prezantuar në CIFCET në vitin 2003 me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”

Në ceremoninë e hapjes së festivalit, janë nderuar disa emra të njohur të teatrit në botë, si dramaturgu dhe regjisori amerikan Lee Breuer, regjisori grek Theodoros Terzopulos, etj.

Sivjet shfaqje mysafire e festivalit ka qenë shfaqja më jetëgjate në skenën e Broduejit, “The Fantasticks”.