10:36 / E Shtunë, 16 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Teknologjia edhe në ndihmë të trajnerëve, Seria A me risi nga janari

Një risi është vendosur të aplikohet për ndeshjet e kampionatit italian, duke filluar që nga janari i vitit 2020. Kështu pas futjes në ndihmë të arbitrimit, tashmë teknologjia do të vijë në ndihmë edhe për trajnerët.

Thënë ndryshe, nga janari, në të gjitha takimet e Serisë A, në pankinat përkatëse të skuadrave do të ketë nga një tablet, ku do të jetë i instaluar aplikacioni “Football Virtual Coach”, që do t’u vijë në ndihmë trajnerëve.

Aplikacioni do t’i ndihmojë trajnerët të shohin në kohë reale të dhënat mbi detaje të caktuara të ndeshjes dhe analizimin e tyre, si për shembull kilometrat e përshkruara nga lojtarët, hapësirën e fushës ku është përqendruar loja dhe aty ku luhet më pak, etj.

Këto detaje do të jenë një ndihmë e madhe për trajnerët, që do të kenë mundësi të analizojnë më mirë pikat e dobëta e të forta të tyre, por edhe të kundërshtarit, për të ndërhyrë më pas dhe bërë lëvizjet e duhura.

“Falë bashkëpunimit me politeknikun e Milanos, ne bëhemi e pra Ligë në botë që do t’i furnizojë trajnerët tanë me të dhëna dhe analiza në kohë reale, duke i ndihmuar që të bëjnë zgjedhjet e duhura gjatë ndeshjes”, deklaroi Administratori i Ligës, Luigi De Siervo.