13:49 / E Enjte, 29 Prill 2021 / C E

Telashe për Novak Djokovic, tërhiqet nga turneu Masters i Madrid

Tenisti serb Novak Djokovic ka vendosur të mos luajë në turneun Masters të Madridit, ku është kampion në fuqi.

Turneu nis sot dhe Djokovic, numri 1 në botë për meshkuj, ka vendosur të mos luajë, për shkak se nuk është në formën e tij më të mirë.

Në fushat me dhe, këtë sezon, tenisti serb nuk ka bërë një paraqitje të mirë, duke u eliminuar herët si në Montekarlo ashtu dhe në Beograd. Për këtë arsye, ai vendosi të vijojë përgatitjen. Pritet që ai të luajë në turneun Masters të Romës, pas 2 javësh.

“Më vjen keq që tërhiqem, pasi ky është një event i rëndësishëm për mua. Gjithsesi, përparësi për mua është të jem në formën optimale në grand slam të Roland Garros”, tha Novak Djokovic, që ndodhet në vendlindje.