Telashe për platformën Booking/ Mbi 10 mijë hotele e padisin, kërkojnë dëmshpërblim

Mbi 10 mijë hotele të Evropës, i janë bashkuar një padie kolektive kundër platformës online të rezervimeve Booking.com, duke kërkuar dëmshpërblim për humbjet e pësuara gjatë dy dekadave të fundit.
Sipas organizatës HOTREC, që përfaqëson sektorin e hoteleve, restoranteve dhe kafeneve në Bashkimin Evropian, pronarët e hoteleve kërkojnë kompensim për periudhën 2004-2024, për shkak të klauzolave të ashtuquajtura “çmimi më i mirë”, të cilat nuk u lejonin atyre të ofronin dhoma me çmime më të ulëta në faqet e tyre zyrtare apo në platforma të tjera.
Nisma mbështetet nga 30 shoqata kombëtare hotelierësh, përfshirë edhe Shoqatën Gjermane të Hoteleve (IHA).
Booking.com, me seli në Holandë, i përdorte këto klauzola për të ndaluar të ashtuquajturat “rezervime pasagjere”, ku klientët informoheshin për hotelin përmes platformës, por më pas e rezervonin direkt në faqen zyrtare të hotelit.
Por në një vendim të dhënë më 19 shtator 2024, Gjykata Evropiane e Drejtësisë i shpalli këto klauzola të paligjshme, duke e cilësuar të papranueshme kufizimin që iu bë partnerëve hotelierë për mënyrën si shpërndanin shërbimet e tyre.
Pikërisht ky vendim është baza mbi të cilën këto hotele, do të çojnë çështjen për gjykim në Amsterdam.
Nga ana tjetër, Booking.com ka mohuar të ketë marrë ndonjë njoftim zyrtar për padi dhe e cilëson reagimin e HOTREC vetëm si një deklaratë publike, jo një çështje të paraqitur në gjykatë.