75 Mall Live Search
14:24 / E Premte, 05 Maj 2023 / mp

Telekomi reagon ndaj lajmit për blerjen e telefonave të “mençur”

Bazuar në të drejtën ligjore për reagim, ju lutemi që në hapësirën proporcionalisht të njëjtë të botoni reagimin tonë lidhur me artikullin e juaj tendencioz dhe dashakeq me titull “Telekomit iu dhanë 20 milionë euro hua nga Qeveria për infrastrukturë, blejnë telefona të “mençur” e shpërblejnë kompani të huaja” të publikuar në portalin tuaj me datën 04 maj 2023. Ju lutemi që reagimin ta botoni të plotë dhe pa ndërhyrje.

Titull bombastik, artikull pa përmbajtje, tendencioz dhe dashakeq

“Telekomit iu dhanë 20 milionë euro hua nga Qeveria për infrastrukturë, blejnë telefona të “mençur” e shpërblejnë kompani të huaja”, është titulli joprofesional, tendencioz dhe dashakeq që pretendon se ka zbuluar keqpërdorime të mëdha dhe menaxhim të keq në Telekomin e Kosovës, ndërkohë që përhapë paragjykime dhe mjegullon të vërtetën.

Në një artikull të vetëm, të shkurtër, ku titulli ka “përmbajtje” tendencioze, bashkë me shumën prej 20 milion euro që janë marrë hua, përfolën dy pajisje pune ( Telefona “të mençur”) të blera, përmes një tenderi publik,  për nevoja të Departamentit për Relacione me Publikun dhe dy tenderë të tjerë më të mëdhenj, duke përhapur dyshimin se me ta “Janë shpërblyer të huajte”.

E vërteta, që ne besojmë fort se edhe ju e dini mire nga komunikatat tona publike, është si ne vazhdim:

Këta dy (2) telefona “të mençur”,  të cilët në fakt nuk janë as të pajisur me numër, nuk përdoren nga asnjë punëtor i Telekomit si pajisje komunikuese për përdorim ditor, menjëherë janë dhënë në shërbim të zyrtarëve të ekipeve, atij kreativ/rrjeteve sociale dhe tjetri te ekipi për komunikim të brendshëm, përkatësisht ekipi i “Valapress”, një medium ky i destinuar për komunikim të brendshëm në kompani.

Këta telefon “të mençur” janë një investim në pajisje pune, për fotografime, xhirime ( si zëvendësim i kamerave të shtrenjta) për intervista, video dhe audio regjistrime, animacione, telekonferenca, transmetime në rrjete sociale etj, investim ky i cili e ka kursyer dhe do ta kursej Telekomin nga shpenzime shumëfish më të mëdha se vlera e tyre. Lidhur me këtë çështje konsiderojmë që me qëllim të keq apo nga mosdija e keni keqinterpretuar krejtësisht jashtë kontekstit këtë blerje të pajisjeve për punë.

Fatkeqësisht, e orientuar të gjejë me çdo kusht një “krim” sado të vogël, për të komprometuar fushatën gjithëpërfshirëse të  TK ndaj të gjitha keqpërdorimeve dhe krimeve, e cila fushatë fatmirësisht po jep rezultate,  gazeta e juaj nuk heziton  të paragjykojë, të sugjestionojë publikun me tituj të fryrë dhe dashakeq, duke krijuar idenë e gabuar te lexuesi i juaj se Telekomi ende po investon në luks, se Telekomi po “shpërblen të huajt”, ndërkohë që e vërteta është se po investohet vetëm në pajisje të domosdoshme dhe po respektohen procedurat e parapara me ligj të tenderimit publik.

Në veçanti komenti se “Telekomi shpërblen kompani të huaja” , është tendencioz, dhe vë në dyshim një proces të rregullt tenderimi për të blere pajisje telekomunikuese, që vetëm disa kompani ndërkombëtare mund t’i ofrojnë. Duke mos dashur të promovojmë asnjërën nga këto përmes këtij reagimi, ju lutem, hyni edhe shikoni se cilat janë emrat (brendet) me të njohur ndërkombëtarë të produkteve telekomunikuese dhe aty do të gjeni emrat që kanë fituar tender në Telekomin e Kosovës. 

Telekomi,  në të tri rastet që i trajtoni ju, ka blere sipas procedurave të rregullta të Prokurimit Publik dhe është në interes të informimit të plotë dhe të drejtë që të mos keqpërdoren titujt për publicitet të paqëndrueshëm dhe që vë në pyetje besueshmërinë dhe profesionalizmin e mediumit të juaj.

Duke ju lutur që të jeni bashkëpunues me Departamentin për Relacione me Publikun, ju sigurojmë që jemi në shërbimin tuaj për informata shteruese derisa të konsideroni se tashmë keni material të mjaftueshëm që të njoftoni publikun e juaj të respektuar me informacion të plotë, të liruar nga tendencat, animet apo paragjykimet, ashtu si edhe pritet prej një mediumi që pretendon të jetë profesionist dhe serioz.