75 Mall Live Search
08:29 / E Hënë, 08 Janar 2024 / L K

Televizioni rus ia “ngul sytë” Bosnjës

Bosnjë e Hercegovina duhet të përmbahet nga thellimi i lidhjeve me Rusinë dhe të bëjë përpjekje shtesë për të mbyllur hapësirën për ndikimin e jashtëm dhe manipulimin e informacionit – thonë nga Bashkimi Evropian, pas paralajmërimit të kanalit televiziv shtetëror rus RT (Russia Today), lidhur me fillimit e transmetimit në Bosnje e Hercegovinë.

Transmetimi i kanalit në gjuhën serbe në Republikën Sërpska u paralajmërua më 15 dhjetor në televizionin shtetëror rus nga Margarita Simonyan, redaktore e RT-së.

Kanali RT është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga marsi i vitit 2022, kur u sanksionua edhe agjencia ruse mediatike, Sputnik.

Këto sanksione përfshijnë të gjitha mjetet e transmetimit dhe shpërndarjes (përfshirë programet kabllore, satelitore dhe IPTV, si dhe faqet e internetit dhe aplikacionet), kurse të gjitha licencat përkatëse janë pezulluar.

Në atë kohë, u bë e ditur se këto media janë instrumente për të inkurajuar dhe mbështetur agresionin rus kundër Ukrainës, i cili, siç thonë ata, “përfaqëson një kërcënim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për rendin publik dhe sigurinë e BE-së”.

Ky kanal është ende i disponueshëm në Bosnje e Hercegovinë, përmes disa operatorëve kabllorë.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thekson se Bosnjë e Hercegovina “e ka respektuar plotësisht politikën e jashtme të BE-së, përfshirë vendimet për masat kufizuese dhe se këto masa duhet të zbatohen në të gjithë vendin, duke përfshirë entitetin Republika Sërpska”.

“BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë relevantë në Bosnje e Hercegovinë, në nivel shtetëror dhe të entiteteve, të sigurojnë zbatimin e plotë të masave kufizuese, përfshirë ato që kanë të bëjnë me Rusinë dhe Bjellorusinë”, thotë Stano.

Sipas tij, mediat ruse u sanksionuan për shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Drejtës Ndërkombëtare, dhe se “RT-ja është pjesë e instrumenteve ruse të propagandës dhe dezinformimit, të cilat pasojnë luftën e paligjshme të agresionit të Kremlinit kundër Ukrainës”.

Ai përfundon duke rikujtuar se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Bosnjë e Hercegovinës në rrugën evropiane, theksohej se ky vend duhet të mbyllë hapësirën për ndikimin e jashtëm dhe se “lejimi i një mjeti propagandistik të sanksionuar për të vepruar në territorin e saj, është drejtpërdrejt në kundërshtim të asaj [rrugës evropiane]”.

Bosnja iu bashkua zyrtarisht sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, por për shkak të kundërshtimit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave nga Republika Sërpska, sanksionet nuk u zbatuan plotësisht.

Dy ministra të shtetit nga Republika Sërpska, një nga dy entitetet në Bsonje e Hercegovinë, janë anëtarë të Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, partia e presidentit pro-rus Milorad Dodik.

Komenti i Putinit – paralajmërimi për nisjen e transmetimit të kanalit

Redaktorja e RT-së njoftoi për hapjen e kanalit një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetares së RS-së, Darinka Petroviq, e cila tha se ishte për të ardhur keq që media ruse nuk ekziston në Bosnjë e Hercegovinë.

“Ne duhet të mendojmë për këtë, unë do t’i kërkoj kolegut tim, Oleg Borisovich, të shohë se çfarë mund të bëjë për këtë”, tha Putin në fjalimin e tij të rregullt vjetor para gazetarëve.

Oleg Borisovich Dobrodeyev është drejtor i Kompanisë Shtetërore të Transmetimit të Televizionit dhe Radios (VGTRK), kompania më e madhe ruse e mediave, e cila është në duart e Qeverisë ruse dhe e cila përfshin një numër të madh kanalesh televizive dhe radiofonike.

Gjatë emisionit në Rusia 1, kanal në pronësi të VGTRK-së, Simonjan deklaroi se televizioni i ri do të transmetohet në të gjithë territorin e Bosnjë e Hercegovinës dhe se në Republikën Sërpska tashmë po transmetohen dokumentarë rusë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së REL-it për krijimin e një kanali në Republika Sërpska, shërbimi për media i RT-së dërgoi një përgjigje që ata thonë se vjen nga Margarita Simonjan.

“Ne do të jemi të lumtur t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja kur të kaloni nga ana e së keqes në anën e së mirës. Ne nuk u përgjigjemi pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, sepse ajo nuk është një organizatë gazetareske, por një degë e CIA-s”, thuhet në përgjigje.