Temperaturat e ulëta dhe fusha sintetike, Spalletti ka një lajm të mirë për Juventusin
Luciano Spalletti beson se Juventusi është në disavantazh para ndeshjes së Ligës së Kampionëve në transfertë kundër Bodo/Glimt të martën në mbrëmje, kryesisht për shkak të temperaturave nën zero dhe fushës sintetike në stadiumin “Aspmyra” në Norvegji.
Bardhezinjtë janë ende në kërkim të fitores së parë në Champions këtë sezon, pasi deri tani kanë marrë barazime kundër Borussia Dortmund, Villarreal dhe Sporting CP, si dhe një humbje 1-0 ndaj Real Madrid.
Me vetëm tri pikë, Juventusi aktualisht është jashtë zonës së kualifikimit, në vendin e 26-të, dy pozicione mbi kundërshtarin e së martës, i cili ka dy barazime dhe dy humbje në katër ndeshjet e para në Europë.
Gjatë konferencës për shtyp të së hënës, Spalletti kërkoi qetësi, duke theksuar se situata nuk është aq dramatike sa po paraqitet pas barazimit 1-1 me Fiorentinën që po kalon vështirësi.
“Le t’i marrim gjërat një nga një, sepse është bërë të duket sikur kemi pasur katastrofë. Lojtarët nuk bënë aq keq sa po thuhet. E kam pranuar i pari se duhet të bëjmë më shumë dhe ta përmirësojmë situatën. Duhet të përdorim burimet tona dhe cilësitë që kemi. Kam parë dëshirë te kjo skuadër”, tha ai.
Duke iu kthyer përballjes me Bodo/Glimt, ai tha: “Fusha dhe klima janë disavantazh. Kam pasur fatin të punoj jashtë vendit. Ajri që merr është ndryshe, është shumë ftohtë dhe nuk jemi mësuar. Janë zakone të ndryshme nga tonat. Dëshira jonë duhet të kompensojë këtë diferencë. Ata janë shumë të mirë në identifikimin e lojtarëve, nuk është vetëm fusha dhe i ftohti. Kanë shumë vlerë dhe kanë bërë mirë në garat ndërkombëtare”.
Çfarë pret Spalletti nga lojtarët e tij në Norvegji?
“Është një pjesë tjetër e historisë dhe shpresoj të dinë si të përshtaten. Duhet të përballen me një makinë që punon shumë dhe ua ka vështirësuar jetën të gjithëve. Nëse duam të jemi në të njëjtin nivel, duhet të njohim shpejtësinë e tyre dhe të luajmë teknikisht mirë, edhe në një fushë të tillë. Në Firence, topi lëvizte shumë ngadalë në pjesën e parë dhe na u desh të luanim përmes qendrës për të gjetur zgjidhje. Pashë gjëra të ndryshme në pjesën e dytë. Kemi shumë cilësi, por duhet të bëjmë më mirë në pasimet e sakta dhe të mos u japim kundërshtarëve mundësinë të na dëmtojnë. Duhet të mësohemi me motin nesër, të mos bëjmë shumë gabime dhe të luajmë mirë. Dimë të ndëshkojmë ekipet, por duhet edhe të krijojmë hapësira vetë. Duhet të shohim përtej pasimit të parë, të përmirësohemi, dhe kjo është ajo që pres”, shtoi ai.
Si do ta ndikojë fusha sintetike lojën e Juventusit?
“Fusha dhe klima janë disavantazh. Është një vështirësi reale për shkak të kërcimit dhe sjelljes së topit. Kjo mund të na kushtojë, por do të përshtatemi. Të gjithë kemi pasur frikë më parë; përballemi me to dhe përshtatemi. Fusha na ndikon, por duam të bëjmë një paraqitje të mire”, vazhdoi italiani.
A mund të mësojë Juventusi diçka nga ndeshja e Lazios me Bodo/Glimt sezonin e kaluar?
“Ata luajnë mirë, por unë flas drejtpërdrejt me lojtarët e mi. Ata duhet të kuptojnë se nesër është një ndeshje shumë e vështirë. I kemi parë gjithçka bashkë me analistët tanë. Shpejtësia bën diferencën, ne jemi të vetëdijshëm dhe duam të jemi në nivel. Nuk duam ndeshje të lehta; duam ndeshje të vështira, të përshtatemi dhe të marrim vlerësim për këtë”, bëri me dije Spalletti.
I pyetur nëse do të kalojë në mbrojtje me katër, Spalletti pranoi se do të bëjë disa ndryshime në formacion.
“Do të ndryshojmë disa lojtarë. Nuk mund të lëmë hapësira brenda, sepse ata janë shumë të fortë dhe dinë të luajnë ngushtë. Duhet të rrijmë brenda dhe t’i detyrojmë ata të luajnë jashtë nesh”, përfundoi trajneri italian.

