10:26 / E Premte, 24 Maj 2019 / indeksADMonline

Tenderi milionësh i Komunës së Mitrovicës për Sitnicën anulohet, OSHP-ja i vlerëson të papërgjegjshëm

Punimet për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në Mitrovicë gati që një vit ka mbetur pezull si pasojë e kthimit të lëndës në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Tenderi i paraparë të kushtojë 6 milionë euro për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në Mitrovicë është rikthyer në rivlerësim që disa herë, kjo për shkak të operatorëve të papërgjegjshëm që kanë aplikuar për këtë tender milionësh.

Fillimisht, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) anuloi dhënien e kontratës për kompaninë “Lirigzoni” SH.P.K me çmim prej 5, 313, 771, 48 euro që ishte zgjedhur fitues i tenderit nga Autoriteti Kontraktues- Komuna e Mitrovicës.

“Anulohet njoftimi për dhënien e kontratës, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Rregullimi i shtratit të lumit Sitnica në Mitrovicë, bashkëfinancim me MMPH’ me numër të prokurimit 642-184186-511, e iniciuar nga Autoriteti Kontraktues/KK-Mitrovicë/ dhe lënda kthehet në Ri-vlerësim”, thuhet në vendimin e OShP-së, transmeton Indeksonline.

Kjo pasi, Komuna e Mitrovicës kishte zgjedh kompaninë që ka çmim që ka 1 milionë e gjysmë euro me shtrenjtë se kompania ankuese “Bajraktari”.

Në ankesën e kompanisë “Bajraktari” ne dispozitat e shkelura nga Autoriteti Kontraktues thuhet se Komuna ka përzgjedhur ofertën që është rreth 1.6 milionë euro me të shtrenjte se oferta më e lirë se oferta e kompanisë ankuese, që është shkelje e rregullave të Ligjit për Prokurim Publik (LPP).

Në dokumentin e OSHP-së thuhet se nuk është bërë vlerësim dhe krahasim i drejtë duke eliminuar operatorin ankues që ka qenë i përgjegjshëm dhe me çmim më të lirë dhe duke zgjedhur kompaninë me çmim më të lartë.

Por, kompania “LIRIGZONI” nuk ka dalë të jetë e përgjegjshme, duke bërë kështu që OSHP  dhe Autoriteti Kontraktues Komuna e Mitrovicës ka marrë vendim që të anuloj këtë aktivitet prokurimi për shkak se asnjëherë prej Operatorëve nuk është serioz dhe kjo procedurë prokurimi anulohet.

“Pasi kjo lëndë veç ka qenë dy(2) herë në OSHP dhe është rivlerësuar tri(3) herë nga AK dhe Komuna e Mitrovicës dhe pas vendimit të Panelit të OSHP-së dhe pas sugjerimeve të OSHP-së për te kërkuar informata për te dy O.E. sipas Nenit 59.2 dhe Nenit 72 dhe pas informatave te marra nga O.E. konkurrues në këtë Procedurë prokurimi dhe pasi përgjigjet e O.E. në kërkesat sipas neneve te cekura më lartë kanë qenë negative AK Komuna e Mitrovicës  OSHP-ja përkatësisht Paneli i OSHP-së me datë 20/05/2019 ka sjell vendim me nr 112/2019 për Anulimin e këtij aktiviteti te prokurimit për arsye se asnjëri O.E.prej dy O.E. nuk është i përgjegjshëm dhe kjo procedurë e Prokurimit ANULOHET”, ka thënë për Indeksonline Drejtori i Prokurimit, Bekim Muja.

Muja për ka thënë se lënda është rivlerësuar dy herë dhe është zgjatë për shkak të procedurave për rivlerësim nga OSHP.

Muja në një përgjigje më parë për Indeksonline se pse nuk kanë zgjedhur OE “Bajraktari” më çmim më të ulët për 1 milionë e gjysmë, kishte deklaruar se Komisioni Vlerësues ka vendosur për OE “LIRIGZONI” për shkak se i ka plotësuar kriterët.

“Dua t’u themi se sa i përket  OE “Bajraktari SH.P.K”.  Komisioni  vlerësues e ka vlerësua  se Operatori në fjalë nuk i përmbush kriteret e kërkuara me Dosjen e Tenderit, si dhe nga Operatori ne fjalë është kërkuar të na ofrojë një PRERJE për punët e përfunduara vetëm për tri  vitet e fundit dhe në asnjë rast nuk ka afruar situacion të punëve të kryera me vlerë monetare për tri  vitet e fundit”, thuhet në përgjigjen e tyre për Indeksonline.

Mirëpo,  tani Muja thotë se pas verifikimit të dokumentacionit të kësaj kompanie, kanë vërejtur se nuk  e kanë realizuar një projekt për të cilën ka ofruar kontratë dhe referencë.

“Çdo herë sipas LPP-së deri sa të bëhet njoftimi për dhënie të kontratës AK e propozon O.E. për kontratë është propozim i përkohshëm dhe ne kemi propozuar Konzorciumin Lirigzoni Shpk-Prishtinë  & Doo Timi KRSHKO-Slloveni pasi sipas dokumentacionit dhe kritereve i kanë plotësuar kërkesat e DT dhe Njoftimit për Kontratë. Por herën e dytë pas verifikimit te dokumentacionit të anëtarit të konzorciumit Do Timi KRSHKO dhe pas dërgimit te shkresës nga Zyra e Prokurimit në Mitrovicë Komunës Krshko për verifikim të dokumentacionit të anëtarit të Konzorciumit Komuna Krshko kthen shkresën Komunës se Mitrovicës se O.E. Doo Timi KRSHKO nuk e ka realizuar projektin në fjalë për te cilën ka ofruar kontratë dhe Referencë .AK Komuna e Mitrovicës –Drejtoria e Prokurimit i shpallë te dy O.E. te Pa përgjegjshëm dhe OSHP-ja e vërteton vendimin e AK –Komuna e Mitrovicës dhe ANULON PROCEDURËN E PROKURIMI në fjalë”, ka shtuar ai në një përgjigje për redaksinë.

Në vendimin e OSHP-së ndër arsyejet që përmenden për anulimin e prokurimit për këtë tender është mungesa e ofertave të përgjegjshme.

“Duke pas parasysh që të dy OE janë të papërgjegjshëm komisioni vlerësues i AK- e ka anuluar këtë AP dhe njëkohësisht kërkon nga paneli të miratoj vendimin ton e njëkohësisht të bëhet e mundshme përshpejtimi i kësaj procedure” thuhet në arsyetimin e OSHP-së.

Paneli shqyrtues i ka rekomanduar Autoritetit Kontraktues të Komunës që në rast të ritenderimit të aktivitetit të prokurimit, paraprakisht t’i referohen dispozitave të nenit 27, të LPP-së, në mënyrë që operatorët ekonomik t’i kenë të qarta kërkesat e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë.

Ndërsa, Drejtori i Prokurimit ka njoftuar se Komuna është duke e përgatitur procedurën e ritenderimit.

Kujtojmë që operatori ankues “Bajraktari” kishte ofruar vlerën prej 3,699, 011,04 euro, ndërsa ajo “Lirigzoni” ka ofertuar me çmimin 5, 313,771,48 euro.

Diferenca e çmimit të Operatorit Ekonomik ankues në krahasim me çmimin e OE-së së rekomanduar për kontratë ishte në vlerë prej 1,614,760,44 euro.

Ndërsa, tek kontratat e kësaj kompanie tek “Prokurimi hapur”, del se në dy vitet e fundit, kjo kompani ka nënshkruar vetëm katër kontrata që përfshijnë shumën totale prej 1,584,174,45 euro.

Kurse, kompania “Lirigzoni”, ka të nënshkruar tetë kontrata që kapin vlerën prej 616,410,60 euro.

Mirëpo, asnjëra prej këtyre dy kompanive nuk janë treguar të përgjegjshme, duke bërë që tenderi në fjalë të anulohet dhe të nis procedurë e re e tenderimit./Indeksonline/L.THAQI