Tenderi për njësitë zhytëse të FSK-së s’kalon, asnjë ofertë e përshtatshme

Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të mund të furnizohet për momentin me veshmbathje dhe pajisje të specializuara për njësitë e kërkim-shpëtimit në ujë.
Ministria e Mbrojtjes ka vendosur të anulojë procedurën e ritenderimit me titull: “Furnizim me veshmbathje Kërkim-shpëtim zhytje SUFSK 1001”, transmeton IndeksOnline.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i kësaj kontrate ishte lidhja me një operator ekonomik i cili do të siguronte furnizimin në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në dosjen e tenderit, duke synuar rritjen e kapaciteteve operacionale dhe efikasitetit të FSK-së në përmbushjen e misioneve të saj.

Megjithëse gjatë procedurës janë pranuar tre oferta, asnjë prej tyre nuk ka rezultuar e përgjegjshme në raport me kërkesat teknike, gjë që ka çuar në anulimin e procedurës, transmeton IndeksOnline.
Vlera e parashikuar për kontratën ishte 96,000 euro.

Ministria e Mbrojtjes pritet të rishqyrtojë hapat e mëtejshëm lidhur me këtë furnizim, në mënyrë që t’i mundësohet FSK-së pajisja me mjetet e nevojshme për realizimin e detyrave operacionale, në përputhje me standardet teknike dhe nevojat funksionale të njësive të specializuara.