Tension në familjen Beckham? Victoria flet për raportin me fëmijët

Victoria Beckham është rikthyer në qendër të vëmendjes këtë herë jo për modën apo suksesin, por për mënyrën si po përpiqet të ruajë ekuilibrin e familjes së saj, mes tensioneve të hapura me djalin e madh, Brooklyn Beckham, dhe nusen e tij, Nicola Peltz.
Në një intervistë të re për podcastin e njohur Call Her Daddy, ish-anëtarja e Spice Girls u shfaq e sinqertë dhe emocionale teksa foli për “sfidën e të qenit nënë kur fëmijët rriten dhe duan të marrin vendime vetë”.
“Ne jemi një familje shumë e bashkuar dhe komunikimi është çelësi,” – tha Victoria.
“Gjithmonë i bëjmë të ditur fëmijëve tanë se mund të flasin për gjithçka, sepse kjo është një hapësirë e sigurt për ta.”
Megjithatë, pavarësisht theksimit të afërsisë, marrëdhëniet mes çiftit Beckham dhe djalit të tyre të madh duket se kanë pësuar krisje të dukshme. Brooklyn dhe Nicola nuk morën pjesë në ditëlindjen e 50-të të David-it, as në javën e modës në Paris, dhe munguan edhe në premierën e dokumentarit “Beckham” në Netflix.
Sipas burimeve për Page Six, Brooklyn i ka lënë mënjanë kontaktet me familjen dhe i ka bërë të qartë se dëshiron “pak distancë”.
Victoria, megjithatë, ruan tonin e saj të qetë.
“Ata duhet të ndjekin udhëtimin e tyre. S’jam tipi që i kontrollon. Unë jam këtu për t’i dëgjuar dhe për t’i mbështetur,” – tha ajo.
Ajo foli edhe për kritikat që shpesh marrin fëmijët e të famshmëve si “nepo babies” (të privilegjuar nga famë e prindërve).
“Thjesht jepuni një mundësi,” – theksoi ajo.
“Nuk është faji i tyre që kanë prindër të famshëm. Fëmijët e mi janë njerëz të mirë, të dashur dhe punëtorë. Nuk presin që gjërat t’u ndodhin thjesht sepse janë ‘Beckham’.”
Në intervistë, Victoria tregoi se ajo dhe David përpiqen të ruajnë një familje sa më “normale” pavarësisht famës botërore:
“Jemi shumë tradicionalë, shumë më tepër sesa njerëzit e mendojnë. Na pëlqen të kalojmë kohë bashkë dhe të qeshim. Unë kam dashur gjithmonë të jem nëna dhe bashkëshortja më e mirë që mundem.”