Tensione në asamblenë e Istogut, përplasen asambleistët e LDK-së dhe AAK-së

Seanca e sotme në asamblenë e Istogut është ndërprerë për shkak të tensioneve të krijuara. E tëra nisi pas akuzave të asambleistit të LDK-së, Enver Rugova ndaj kryesueses së kuvendit komunal, Fjolla Ukaj.
Rugova e ka akuzuar kryesuesen për mosdaljen e pagave duke i thënë se është obligim ligjor i saj që të bëhen gati listat.
Akuzave të Rugovës i është përgjigjur asambleisti i AAK-së, Negjmedin Balaj i cili protestoi ndaj vendimit të LDK-së për braktisjen e seancës.
Kur tonet e diskutimit u ngritën, në seancën e kuvendit komunal është futur shoferi i komunës, Haki Zeqiraj.
Asambleisti i AAK-së, Negjmedin Ramaj e ka quajtur Zeqirajn si musafir të paftuar dhe ka kërkuar llogari nga ai se çfarë kërkon në seancën e kuvendit komunal.
Është dashur ndërhyrja e të tjerëve për të qetësuar gjakrat në ambientet e kuvendit komunal të Istogut, gjersa seanca është ndërprerë.
Një nga pikat e seancës pritet të ishte edhe shkarkimi i kryesuses së kuvendit komunal, si pjesë e marrëveshjes së re mes LDK-së e PDK-së në Istog./Indeksonline/