Tensionet në Detin e Zi, Rusia shkatërron tre anije turke pas telefonatës Erdogan-Putin
Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka rindezur shqetësimet për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, e po përshkruhet si sinjal i një rikthimi të mundshëm të tensioneve mes Rusisë dhe Turqisë.
Pamjet, që sipas burimeve janë realizuar në zonën portuale të Odesës, tregojnë afrimin e një droni rus të tipit Geran drejt portit. Skena është filmuar nga anëtarë të ekuipazheve të anijeve të ankoruara aty pranë. Fakti që sulmi ndodhi në një moment kur në port ndodheshin edhe anije në pronësi turke i ka dhënë rastit një rëndesë politike, sidomos në kontekstin e rolit ndërmjetësues të Ankarasë dhe komunikimeve të drejtpërdrejta mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
Videoja u publikua pas raportimeve se Rusia ka ndërmarrë sulme të kombinuara me dronë dhe raketa balistike ndaj dy porteve ukrainase në rajonin e Odesës. Si pasojë, u dëmtuan tre anije në pronësi turke, mes tyre edhe një anije që transportonte ndihma ushqimore. Sulmet pasuan paralajmërimet e Moskës se do ta “izolonte praktikisht Ukrainën nga deti”, në përgjigje të goditjeve ukrainase ndaj cisternave ruse të se ashtuquajturës flotë në hije, të cilat Kievi i konsideron burim të rëndësishëm financiar për luftën e Rusisë.
Ngjarja ndodhi vetëm disa orë pas një bisede telefonike mes Erdoganit dhe Putinit, gjatë së cilës presidenti turk kishte propozuar një armëpushim të pjesshëm, që do të përfshinte portet dhe infrastrukturën energjetike, si një hap drejt uljes së tensioneve. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi duke publikuar imazhe nga porti i Chornomorskyt, ku shihet një nga anijet e goditura në flakë, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqeshin të shuanin zjarrin. Sipas tij, këto sulme tregojnë mungesë vullneti nga ana e Moskës për të ndjekur rrugën e diplomacisë dhe synimin për të goditur jetën normale në Ukrainë.

