20:22 / E Enjte, 20 Janar 2022 / MSH

Tensionet në Ukrainë: Presidenti Zelensky përgjigjet ndaj komenteve të Bidenit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj komenteve të bëra nga homologu i tij amerikan, Joe Biden.

“Nuk ka ndërhyrje të vogla. Ashtu siç nuk ka viktima të vogla dhe pikëllim të vogël nga humbja e njerëzve të dashur,” shkroi Zelensky në Twitter.

Biden kishte deklaruar se një sulm “i vogël” mund të sjellë një përgjigje më të dobët nga ShBA-ja dhe aleatët e saj ndaj Rusisë, raporton BBC.

Presidenti Vladimir Putin i ka bërë një sërë kërkesash Perëndimit, duke këmbëngulur se Ukraina nuk duhet të lejohet kurrë të bashkohet me NATO-n dhe se aleanca mbrojtëse duhet të braktisë aktivitetin ushtarak në Evropën Lindore.

Të mërkurën, Presidenti Biden tha, në një konferencë shtypi, se Putin do të paguante “çmim serioz dhe të shtrenjtë” për pushtimin e Ukrainës.

“Ajo që do të shihni është se Rusia do të mbahet përgjegjëse nëse pushton dhe kjo varet nga ajo që bën. Është një gjë, nëse është një sulm i papritur i vogël dhe pastaj ne përfundojmë duke luftuar për atë që duhet të bëjmë dhe të mos bëjmë,” tha ai.

Komentet e tij nxitën pyetje se si mund t’i përgjigjet ShBA agresionit rus dhe zyrtarët nxituan të sqarojnë pozicionin e Uashingtonit.

“Ne kemi qenë shumë të qartë gjatë gjithë kohës,” tha të enjten Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, duke shtuar se çdo sulm i papritur rus në Ukrainë do të ketë “përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar” nga ShBA-ja dhe aleatët e saj.

Kurse Biden tha se çdo hyrje e trupave ruse do të llogaritet si “pushtim”.