75 Mall Live Search
12:56 / E Enjte, 05 Shkurt 2026 / P M

Tentoi ta mashtronte komunën e Lladrovcit, OSHP-ja e fut në listë të zezë kompaninë ndërtuese

Gjykata e tenderëve ka marrë vendim për futjen në listë të zezë kompaninë “Korabi” nga Drenasi, pasi ajo ka tentuar të mashtronte komunën gjatë një aktiviteti të prokurimit publik.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim për diskualifikimin e operatorit ekonomik N.N.T. “Korabi” nga Gllogoci nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik për një periudhë tremujore, lidhur me projektin: “Rehabilitimi i rrugës dhe ndërtimi i trotuarit Arllat–Negrovc dhe Vuqak”, të iniciuar nga Komuna e Drenasit.

Vendimi është marrë, më 19 janar 2026, pas shqyrtimit të kërkesës së Autoritetit Kontraktues Komuna Drenas, e cila kishte pretenduar se operatori ekonomik kishte paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara, konkretisht lidhur me angazhimin e inxhinierit Vehbi Goxhuli.

Sipas arsyetimit të OSHP-së, nga provat e shqyrtuara dhe deklaratat e palëve, është konstatuar se ka mospërputhje serioze ndërmjet dokumentacionit të dorëzuar nga operatori ekonomik dhe deklarimeve të inxhinierit, i cili ka mohuar autorizimin për përdorimin e dokumenteve të tij për këtë aktivitet prokurimi dhe ka pretenduar falsifikim të nënshkrimit.

Megjithatë, paneli shqyrtues ka marrë parasysh edhe faktin se komunikimi dhe pagesat ndërmjet operatorit ekonomik dhe inxhinierit kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2025, përfshirë pagesën e pagave dhe kontributeve pensionale, çka ka ndikuar që masa e diskualifikimit të kufizohet në periudhë prej tre muajsh, nga 14 janari deri, më 14 prill 2026.

OSHP-ja ka bërë të ditur se kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë administrative, por pala e pakënaqur ka të drejtë të iniciojë padi në gjykatën kompetente brenda afatit ligjor prej 30-ditësh.

Vendimi