Tentoi të përdhunonte një 35-vjeçare, arrestohet i kërkuari në Lushnjë

Policia e Lushnjës ka vënë në pranga një 40-vjeçar të shpallur në kërkim, i cili akuzohet për tentativë për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë ndaj një gruaje në qytet. Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar shtetasi Roberton Cerria, 40 vjeç, i cili dyshohet se më 6 korrik 2025 ka tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një 35-vjeçare, në banesën e kësaj të fundit.
Ngjarja, që ndodhi në kushte shqetësuese për sigurinë e viktimës, ka alarmuar autoritetet vendore, të cilat nisën menjëherë hetimet dhe kontrollet për kapjen e të dyshuarit, raporton Tch.
Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, mbetur në tentativë, dhe u arrestua pas një pune të mirëorganizuar nga strukturat policore.
Policia ka bërë me dije se kontrollet për kapjen e personave në kërkim do të vijojnë në të gjithë qarkun e Fierit, si pjesë e një operacioni më të gjerë për rritjen e sigurisë publike dhe garantimin e rendit.
Gjithashtu është arrestuar dhe Olsi Duka, i cili akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin E. P. (të arrestuar më datë 28.06.2025), kanë vjedhur në një biznes në fshatin Savër, 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera.
Materialet procedurale i kanë kaluar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë, për veprime të mëtejshme./Indeksonline/