Tentuan të fusin drogë në Burgun e Dubravës, arrestohen dy gra

Dy gra janë arrestuar në Burgun e Dubravës, pasi dyshohet se kanë tentuar të fusin brenda qendrës korrektuese substanca narkotike.
Sipas burimeve policore, njëra nga të dyshuarat, në cilësinë e vizitores, ka tentuar të kalojë me një xhaketë ku ishte fshehur një sasi prej 122.3 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Xhaketa është kontrolluar në prani të të dyshuarave dhe avokatëve mbrojtës, duke çuar në sekuestrimin e lëndës narkotike.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë./IndeksOnline/