13:15 / E Martë, 28 Janar 2020 / indeksADMonline

Teprimi i 30 milionë eurove, LDK-ja kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit

Grupi i këshilltarëve komunalë të LDK-së në Prishtinë, ka mbajtur një konferencë shtypi, në të cilën akuzoi kryetarin Shpend Ahmeti për keqqeverisje dhe keqmenaxhim.

Këshilltari i LDK-së i Komunës së Prishtinës, Shefqet Osmani, deklaroi se performanca menaxhuese e Shpend Ahmetit po del të jetë e saktë ashtu siç është analizuar.

Osmani ka ngritur disa shqetësime, e njëra ndër to siç e quan ai më skandalozja është mosshpenzimi i buxhetit.

“Ne kemi ngritur nga vitin e kaluar shqetësimin rreth performancës menaxhuese të kryetarit Shpend Ahmeti dhe paaftësisë se tij në drejtimin e Komunës se Prishtinës. Në bazë të parashikimeve dhe analizave del të jetë se parashikimi i shpenzimeve në parametrat e projektua po del të jetë i saktë”.

“Në periudhën janar-dhjetor 2019 janë paraqitur të dhëna skandaloze e që me e theksuara është mos shpenzimi i buxhetit. 28 milionë nuk është përfundimtare për vitin 2020. mjetet nga paaftësia e tij kthehen në buxhetin e Republikës së Kosovës.  bazuar në pasqyrat raportuese shkëputur nga raporti financiar i Buxhetit të Komunës se Prishtinës kjo tepricë po bëhet në kohën kur komunës po i mungon qeverisje cilësore dhe e përgjegjshme, një qeverisje që punon për qytetarin dhe rregullon mirëqenien e tij. Dështimet e kryetarit dhe qeverisë së tij lokale vërehen nga çdo spekt e veçanërisht në pasqyrat raportuese financiare”, tha ai.

LDK-ja po e akuzon Ahmetin edhe sa i përket planifikimit strategjik dhe urbanizmit.

“Kryetari Ahmeti ka dështuar tërësisht dhe në planifikim strategjik dhe urbanizëm, ku nga 800,000,00 euro planifikim janë shpenzuar vetëm 12% të buxhetit të planifikuar. Shpenzimet kapitale ishin vetëm 32% e jo 40% sic paraqet raporti. Inkasimi i faturimit të mbeturinave është realizuar vetëm 47% apo 2.4 milionë euro më pak”, tha ai.

Pas gjithë këtyre dështimeve, sipas LDK-së, Shpend Ahmeti do duhej të jepte dorëheqjen dhe të kërkonte falje publike.

“Shpend Ahmetit i ka humbur rruga në oborr. Nëse i ka mbet veç pak moral dhe ndërgjegje, Shpend Ahmeti do të duhej së paku të dorëhiqej nga pozita e kryetarit dhe të kërkojë falje publike”, u shpreh ai.

Komuna e Prishtinës gjatë vitit që lamë pas nuk arriti të shpenzonte rreth 30 milionë euro në investime kapitale.