75 Mall Live Search
15:25 / E Enjte, 18 Dhjetor 2025 / SH

Tërheqja e komunave me shumicë serbe nga Asociacioni i Komunave, reagon kryetari i AKK-së

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Në lidhje me këtë veprim, Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se AKK nuk ndryshon mision.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës AKK është organizatë vullnetare, anëtarësimi në të cilën bazohet në vendimin e lirë dhe autonom të secilës komunë, në përputhje me Statutin e AKK-së dhe parimet e vetëqeverisjes lokale.
Misioni I AKK-së mbetet i pandryshuar: përfaqësimi i interesave të komunave të Republikës së Kosovës, fuqizimi i vetëqeverisjes lokale dhe avancimi i shërbimeve për qytetarët, pa dallim partie apo etnie.
Gjatë gjithë veprimtarisë së saj, AKK ka qenë dhe vazhdon të jetë platforma kryesore e bashkëpunimit ndërkomunal, duke ofruar:
• përfaqësim institucional të komunave në nivel qendror dhe ndërkombëtar;
• mbështetje profesionale dhe ligjore për komunat;
• ngritje të kapaciteteve përmes trajnimeve dhe kolegjiumeve profesionale;
• zbatim të projekteve të rëndësishme me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë;
• shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira në qeverisjen lokale.
AKK mbetet e përkushtuar të punojë me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë për forcimin e demokracisë lokale, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel komunal.
Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë aktivitetet e tij në përputhje me mandatin statutor dhe interesin e përgjithshëm të vetëqeverisjes lokale në Kosovë” ka thënë Ibrahimi për Indeksonline.