16:02 / E Martë, 05 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

“Tërmet” në Klinë, ja si reagojnë zjarrfikësit e policia (Foto)

Zjarrfikësit, policia dhe ekipi shëndetësor i QKMF-së “ Nënë Tereza” në Klinë, kanë demonstruar shkathtësitë e tyre në rast të ndonjë tërmeti eventual. Bëhet fjalë për një aksion të improvizuar, ushtrim fushor, “ tërmet” në Çerdhën e Fëmijëve “ Xhevë Lladrovci” në Klinë, skenarin e të cilit e kishte bërë dega e Kryqit të Kuq në Klinë.

Pas njoftimit për tërmet, të parët në vendin e ngjarjes arrijnë Policia e Kosovës, të cilët njoftojnë njësinë për zjarr dhe shpëtim, QKMF-në dhe Kryqin e Kuq.

Fillimisht reagojnë njësitë e zjarrfikëseve në shuarjen e zjarrit që kishte shpërthyer, kurse më pas futen brenda në objekt për të evakuuar fëmijët dhe personelin tjetër. Atyre u jepet ndihma e parë në vend të ngjarjes dhe më pas dërgohen në QKMF. Ekipi psiko-social i Kryqit të Kuq të Kosovës trajton nxënësit dhe fëmijët e evakuuar.

Në këtë “tërmet” janë lënduar 5 fëmijë dhe 2 punëtorë. I gjithë ushtrimi ka kaluar sipas planit të paraparë dhe gjithë akterët e angazhuar në këtë ushtrim kanë kryer detyrat e veta sipas planit të paraparë.

Zyrtarët e Kryqit të Kuq në Klinë, kanë treguar se një ushtrim i tillë është organizuar në rast të ndonjë tërmeti eventual që ekipet për shpëtim, siguri dhe ofrimin e ndihmës së parë të jenë sa më të përgatitur për përballimin e situatave të tilla.