Tërmet në Maqedoni, ankth dhe pasiguri në një pjesë të Shqipërisë

Një tjetër tërmet u ndje mbrëmjen e sotme në Shqipëri duke krijuar gjendje ankthi dhe pasigurie sidomos në zonën e Dibrës.
Sizmika Europiane EMSC njofton paraprakisht se tërmeti i orës 22.38:57′ ishte me fuqi 4.5 ballë të shkallës Rihter. Fillimisht u raportua se tërmeti ishte 3.8 ballë por më tej u korrigjua dhe doli se ishte 4.5 ballë.
Tërmeti edhe sonte e kushte epiqendrën 14 km në jugperëndim të Gostivarit, ashtu si dhe tërmetet e tjera të ditëve të fundit.
Sërish thellësia ishte vetëm 2 km duke bërë që tërmeti të ndjehet gjerësisht.

Qytetarët raportojnë se ndjenë lëkundjen, e shkurtër por e fortë dhe me orientim nga lart poshtë. Në Shqipëri, tërmeti është ndjerë sidomos në zonën e Dibrës, Peshkopi, Bulqizë, etj.
Por po ashtu është ndjerë edhe pse disi më pak, në Durrës e Tiranë, raporton Noa.