Tërmeti në Shqipëri, Meta i dërgon Ramës 4 kërkesa emergjente
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka takuar sot një grup të pedagogësh dhe drejtuesish shkencorë, pas situatës së krijuar në Shqipëri.
Siç bën të ditur Meta, përmes një shkrimi në Facebook, ai i është drejtuar, kryeministrit Edi Rama, me katër kërkesa emergjente. /IndeksOnline/
Postimi i plotë:
Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, i kam kërkuar sot Qeverisë:
– Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si edhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarret, etj;
– Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;
– Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elemente të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;
– Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor.