16:53 / E Martë, 07 Shkurt 2023 / MSH

Tërmeti në Turqi, presidentja Osmani e shpall ditën e nesërme “Ditë Zie”

Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani, ka shpallur ditën e nesërme, 8 shkurt, si Ditë Zie, pas tërmetit shkatërrimtar në Turqi.

“Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen” ka thënë mes të tjerash Osmani.

Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Presidencës, shkruhet se “në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 8 shkurt 2023, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve në Turqi, të cilat lanë mijëra persona të vdekur dhe të lënduar”.

No photo description available.

Ky është njoftimi i plotë:

Më shumë se 5 mijë viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja. Një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë. Dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit por  edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja.

Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen.

Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar. 

Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po  bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja.

Fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri- tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë.