12:59 / E Diele, 26 Nëntor 2017 / indeksADMonline

“Terminali Doganor në Durrës për Kosovën të jetë lehtësim për biznesin e jo barrierë”

​Raportet me Tiranën zyrtare cilësohen vëllazërore, por ende larg bashkëpunimit të duhur ekonomik, kështu janë shprehur përfaqësues të bizneseve në Kosovë, sipas së cilëve edhe pse deri tash ka pasur mjaft marrëveshje të arritura nga të dyja qeveritë shqiptare, shumë prej tyre kanë mbetur ende të pa zbatuara në tërësi.

Mirëpo, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë se kufiri do të jetë sa më pak i pranishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës, derisa paralajmëroi se nga janari do të bëhet funksional porti i Durrësit për Kosovën, në mënyrë që të hiqen sa më shumë barrierat për biznese.

Ai ka shtuar se mbledhja e qeverive shqiptare në Korçë që do të mbahet të hënën, kryesisht do të trajtojë problemet që lidhen me rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe realizimin e marrëveshjeve.

Sipas tij, mbledhja do të jetë e një rëndësie të veçantë, sepse në fokus do të ketë problemet ekonomike, ku do të trajtohen problemet për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis Kosovës e Shqipërisë, të cilat për fat të mirë këtë vit kanë pësuar një rritje.

 

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që ka më tepër për të bërë për të ardhmen dhe pikërisht kjo do të jetë edhe objekti i kësaj mbledhje. Në fushën e doganave, ne mendojmë që të ulim në maksimum lehtësirat, ato pengesat doganore. Kështu nga muaj janar do të bëhet funksional porti i Durrësit, si një pikë doganore e Kosovës, që do të thotë mallrat që vijnë nga bota e jashtme në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen tre kontrollit siç ka ndodhur deri tash, por do të ketë një kontrolle të vetëm në portin e Durrësit nga Dogana e Kosovës. Ky do të jetë një hap shumë i madh, jo thjesht në planin ekonomik për të lehtësuar disa tarifa që janë paguar deri sot, por edhe në planin kohor. Një mallë që vjen nga Kosova, Durrësi do të shikohet si një pikë e Kosovës, jo e Shqipërisë”, ka thënë ambasadori Minxhozi.

Po ashtu, ai ka thënë se po shikohet nga qeveritë për të përafruar legjislacionin në fushën e doganave midis Kosovës dhe Shqipërisë që të krijohen më shumë lehtësira për bizneset.

“Do të shikohet që disa taksa të ulen, procedurat për transportimin, transferimin e mallrave në të dy anët e kufirit që të ulen. Mbledhja e Korçës do të jetë finalizimi i të gjitha këtyre përpjekjeve, sepse ka dy muaj që institucionet e ndryshme të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë po punojnë në mënyrë intensive për t’i bërë disa zgjedhje teknike të problematikave që kanë ekzistuar deri më sot. Ne do t’i bëjmë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën ekonomisë një shembull edhe për vendet tjera të rajonit”, ka thënë ambasadori.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë urojnë që të ketë me pak marketing politik dhe më shumë veprime konkrete që mundësojnë qarkullimin e lire të mallërave.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani ka thënë për KosovaPress se ky takim nuk duhet të mbahet më si takimet të cilat janë mbajtur deri tash, por të konkretizohen marrëveshjet, sepse dy qeveritë i dinë kërkesat dhe janë partner të bizneseve.

Sipas tij, këta partner duhet ta përcjellin mesazhin e prodhuesve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai ka thënë se e mirëpresin portin e Durrësit, dhe nëse ndikon në qarkullimin e lirë të mallrave, është plotësisht e pranueshme.

Shabani ka shtuar se nuk po kërkojnë asgjë tjetër, por po kërkojnë që asnjë barrierë mos ta kenë në kufi, sepse sipas tij, Kosova dhe Shqipëria kanë 5 deri 6 milionë konsumatorë.

“Nuk e di sa kjo do ta lehtësoje qarkullimin e lirë, nëse ndikon në qarkullimin e lirë për produktet e dy vendeve, është plotësisht e pranueshme nga aspekti i Klubit të Prodhuesve. Mirëpo, ne po mendojmë se përveç kësaj duhet të bëhen hapa tjerë, duhet të njihen dokumentet reciproke në mes dy vendeve. Gjithçka çka e rritë koston e prodhimit dhe qarkullimit të produktit prej Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, duhet të njihen mes veti, duhet të hiqen terminalet dhe duhet të hiqet gjithçka çka e përcakton apo e rritë koston e produktit”, ka thënë Shabani.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve ndër të tjera ka thënë se barrierat janë më shumë të trashëguara, sepse kosovarët produktet nga Shqipëria i konsiderojnë si produkte shqiptare, nuk i ndajnë, kurse Shqipëria nuk sjellët korrekt dhe ndershëm me produktet e Kosovës, kjo ndoshta siç tha Shabani për shkak të frikës konkurruese.

Ai ka shtuar se në fushën e artit Kosova ka raporte mjaft të mira me Shqipërinë, kjo sipas tij, duhet të ndodhë edhe në asketin ekonomik

“Ne nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkojmë, kemi kërkuar dhe do të kërkojmë deri sa të ndodhë që një prodhues kosovar të shet në Vlorë sikur në Pejë, edhe një prodhues nga Tirana të shet në Prishtinë, Podujevë në Gjakovë sikur që shet në Durrës dhe në Fier. Kjo është vetëm ekonomi, këtë e ka bërë Evropa, pse mos ta bëjmë edhe ne. Kjo do të jepte rezultate, sepse do të krihet një treg më i madh për çdo prodhues’, ka theksuar Shabani.

Drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Ismet Mulaj, ka thënë se raportet me Tiranën zyrtare cilësohen vëllazërore, por ende mbesin larg bashkëpunimit të duhur ekonomik.

Ai ka thënë se vendosja e terminalit doganor në Durrës është një lehtësim për bizneset që kanë destinacion tregun e Kosovës, sepse eliminohen pritjet në doganën e Morinës.

“Kjo praktikë është e njohur në disa vende të botes. Por urojmë që ky terminal të jetë lehtësim për biznesin e jo barrë apo burim korrupsioni për biznesin. Te dy Qeveritë duhet urgjentisht të eliminojnë kontrollet e dyfishta doganore si dhe njohjen e certifikatave dhe licencave në mënyrë reciproke. Këto dy veprime do ta lehtësonin shumë bashkëpunimin e ndërsjellë. Treg i përbashkët do të thotë lëvizje e biznesit si të ishte në një territor të përbashkët”, ka thënë Mulaj.

Ndryshe, sipas të dhënave për shtatë muaj të këtij viti në Kosovë janë importuar mallra nga Shqipëria në vlen prej 82 milionë euro, ndërsa eksporti i mallrave të Kosovës në Shqipëri për këtë periudhë ka arritur në rreth 27 milionë euro.

Qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, do të takohen të hënën dhe të martën, më datë 27 dhe 28 nëntor, në Korçë dhe Vlorë.

Mbledhja e përbashkët do të nisë në orën 16:00 të së hënës dhe në orën 17:15 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare, e cila do të pasohet nga një konferencë e përbashkët e dy kryeministrave, Rama dhe Haradinaj.

Të dy delegacionet do të zhvendosen në ditën e pavarësisë, në qytetin e Vlorës, ku në mesditë do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamurit në sheshin e “Pavarësia”.

Pas ceremonisë, do të shpallet zyrtarisht edhe logoja e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Pas agjendës së ditës, dy delegacionet do të nisen për në Tiranë, ku do të marrin pjesë në pritjen që organizohet nga Presidenti i Republikës, me rastin e festës kombëtare. Edhe Qeveria e Kosovës ka shpallur ditën e 28 nëntorit, si festë kombëtare dhe ditën e shqiptarëve.