11:51 / E Martë, 15 Tetor 2019 / indeksADMonline

“Termokos”-i nis sezonin e ri të ngrohjes

Pasi kanë përfunduar me sukses të gjitha përgatitjet, testimet e nevojshme të rrjetit dhe të pajisjeve të ngrohjes, si edhe pasi janë analizuar me kujdes ndryshimet e temperaturave të ajrit, menaxhmenti i NP “Termokos”, ka marrë vendimin, që sot, ashtu siç edhe parashihet me aktet ligjore në fuqi, të nisë furnizimi me ngrohje.

Por, pasi që temperaturat e një pjese të ditës janë relativisht të mira, ndërsa mbrëmjet dhe mëngjeset përcillen me temperatura më të ulëta, furnizimi me ngrohje do t’u përshtatet ndryshimit të temperaturave të ajrit.

Ndërkaq, ditëve në vazhdimësi të sezonit ngrohës, “Termokos”-i thotë se kapacitetet  e saj do të ngriten gradualisht varësisht nga temperaturat dhe nevoja e konsumatorëve për ngrohje.

“Duke u bazuar në suksesin e sezonave të kaluara, që janë realizuar nëpërmes sistemit të kogjenerimit, kur kemi ofruar ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët tanë, shpresojmë në suksesin e sezonit, që sapo kemi nisur”, thuhet në komunikatën e kësaj ndërmarrjeje publike. 

Një risi e këtij sezoni ngrohës do të jetë lidhja për herë të parë në rrjetin e ngrohjes për disa objekte banesore dhe disa objekte institucionale, që do të realizohet në saje të projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes me fondet e ndara nga Komisioni Evropian.