75 Mall Live Search
09:34 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / MSH

“Termokos”-i me letër mirënjohjeje për qytetarët e Prishtinës

Ndërmarrja publike “Termokos” ka falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin ndër vite.

Duke paralajmëruar përgatitjet për sezonin e ri të ngrohjes, Termokos-i ka renditur sukseset e arritura në vitet e fundit, përfshirë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, investimin në infrastrukturën termike, performancën financiare, e kështu me radhë.

Kjo është letra e plotë e mirënjohjes:

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Kur jemi në fazën më të rëndësishme përgatitore për sezonin ngrohës 2025/2026, ndjejmë obligim që në emër të gjithë ekipit të Termokos, të ju drejtohemi me mirënjohje dhe respekt të thellë për bashkëpunimin dhe besimin që na keni dhënë ndër vite.

Gjatë periudhës 2021–2025, kemi ndërmarrë një rrugëtim të rëndësishëm për të përmirësuar ndjeshëm sistemin e ngrohjes qendrore në kryeqytetin tonë. Sot, me krenari ndajmë me ju disa nga arritjet tona më të rëndësishme:

Shtuam mbi 10,000 lidhje të reja, me mbi 65,000 konsumatorë më shumë, duke përfshirë 11 lagje të reja që sot gëzojnë ngrohje të qëndrueshme dhe moderne.

Kemi rritur energjinë e liferuar me mbi 30%, duke rritur ndjeshëm efikasitetin dhe ulur humbjet në rrjet.

Investuam në modernizimin e infrastrukturës termike, duke siguruar furnizim të mjaftueshëm, të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje.

Rritëm sipërfaqen e përgjithshme të mbuluar me ngrohje, si në zona banimi ashtu edhe në ato afariste.

Forcuam performancën tonë financiare, pa rritur barrën për qytetarët.

Të gjitha këto arritje janë rezultat i përkushtimit tonë ndaj shërbimit publik, qytetarit dhe mjedisit. Në thelb të çdo investimi dhe vendimi tonë qëndron një qëllim i vetëm: të ju shërbejmë më mirë, me ngrohje më të pastër, më të sigurt dhe më efikase.

Jemi të vetëdijshëm që sfidat janë ende të pranishme, por rruga është e qartë! Një Prishtinë më e ngrohtë dhe më e gjelbër.

Ju falënderojmë për mbështetjen dhe ju ftojmë të jeni pjesë e rrugëtimit tonë edhe në vitet që vijnë.

Termokos, po i jep kuptim Prishtinës së gjelbër!