15:31 / E Hënë, 29 Maj 2023 / B O

“Termokos’’ për herë të parë ndan 15 bursa për studentë

Për herë të parë në historinë e ekzistimit NP “Termokos” SH.A., ka ndarë sot bursa për 15 studentë të dalluar të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës.

Në një ceremoni rasti, të mbajtur sot në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, kanë marrë pjesë Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, z. Fisnik Osmani, Dekani i Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike, prof.Ahmet Shala, Aksionarët e ndërmarrjes, Bordi i Drejtorëve, anëtarë të Këshillit Drejtues e prorektorë të UP-së, menaxhmenti i ndërmarrjes dhe strudentët përfitues të bursave.
Rektori prof. Qerim Qerimi ka përshëndetur këtë hap të NP “Termokos”, për ndarjen e bursave për studentët e UP-së.

Ai u nda optimist se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje në funksion të rritjes së cilësisë në arsim dhe ndërlidhjes së industrisë me universitetin.

Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama ka shprehur kënaqësinë e tij, që NP “Termokos”, përveç sukseseve në operim e zgjerim të rrjetit të ngrohjes, kësaj here është nismëtare e një kontributi tjetër, siç është ndarja e këtyre bursave. Kryetari Rama tha se mbase këta studentë në të ardhmen mund të udhëheqin ndërmarrjen apo edhe Komunën e Prishtinës.

Kryeshefi Ekzekutiv, z.Fisnik Osmani tha se ndarjen bursave, ndërmarrja planifikon ta shndërrojë në traditë, duke ndihmuar studentët, që të përgatiten sa më mirë për rrugëtimin e mëtutjeshëm.

Kryeshefi Osmani tha se kemi dashur të japim një shembull të mirë dhe konkret të bashkëpunimit, të cilin synojmë ta shndërrojmë në traditë. Ai rikujtoi se kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e studentëve përfitues të bursave janë udhëhequr nga FIM.

Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof.Ahmet Shala ka falenderuar “Termokos”-in për ndarjen e këtyre bursave, otptimist se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme edhe për më shumë studentë.