75 Mall Live Search
21:40 / E Premte, 10 Tetor 2025 / F.R

“Termokos” përuron objektin modern

NP “Termokos” në një ceremoni festive, me pjesëmarrjen e shumë të ftuarëve, përfaqësuesëve të institucioneve, ndërmarrjeve publike dhe bashkëpunëtorëve, ka përuruar sot objektin e ri administrativ prej 4 mijë metrash katrorë.

U.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos” SH.A., z. Kastriot Bllaca tha se ky përurim shënon një kapitull të ri suksesi e përkushtimi për ndërmarrjen.

Kryeshefi Bllaca theksoi se ky investim modern është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes së efikasitetit të ndërmarrjes sonë.

Duke folur për dy projektet kapitale në proces realizimi, “Solar 4Kosovo” dhe Projektin për dyfishimin e kapaciteteve, ai tha se do të krijohen mundësi të reja për përfshirjen e më shumë konsumatorëve në rrjetin e ngrohjes.

“Ky është më shumë se një objekt ndërtimi- është simbol i përparimit, vizionit tonë të përbashkët dhe i përkushtimit të çdo punëtori të ‘Termokosit’”, tha Kryeshefi Bllaca.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka përgëzuar menaxhmentin dhe punëtorët e ndërmarrjes për këtë objekt modern.

“Ky objekt modern është pjesë e transformimit të qytetit të Prishtinës, ndërsa pjesë e këtij kapitulli do t’jetë edhe projekti ‘Solar 4Kosovo’, që nëpërmes energjisë diellore do të krijojë mundësi të reja për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes”, tha kryetari Rama.

Objekti i ri administrativ ka një sipërfaqe totale prej 4 mijë metra katrorë, 47 zyre, 3 salla takimesh, 1 amfiteatër, hapësira për arkivë dhe depo, ndërsa me instalimin e 52 paneleve solare, “Termokos” bëhet ndërmarrja e parë publike, që prodhon një pjesë të energjisë nga burime të ripërtritshme.