75 Mall Live Search
11:37 / E Hënë, 12 Prill 2021 / k.v

Tërnava uron besimtarët për muajin e Ramazanit, kërkon respektimin e masave anti-Covid

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka bërë thirrje për respektim të masave anti-Covid, në mesazhin me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

Tërnava me këtë rast i ka uruar të gjithë besimtarët mysliman, duke shtuar se ky muaj duhet që të shërbejë si urë lidhëse.

Sipas tij, ky muaj është i veçantë për myslimanët, ngase është muaj i paqes dhe mirësisë.

“Në këtë natë të madhe ju drejtohem të gjithë besimtarëve me urimet më të mira për fillimin e këtij muaji. Ky muaj dallohet me agjërimin që kryhet për krijuesin e gjithësisë. Përmes agjërimit manifestohet ndjesia e besimit në Zot”.

“Dimension i rëndësishëm është aspekti social që rrit ndjeshmërinë për tjetrin, afron familjet. Muaji i Ramazanit është muaji kur zbriti Kurani andaj secili prej jush le të agjëroj. Qëllimi i agjërimit është individi, familja e shoqëria dhe bërje e individit më të përgjegjshëm”, është shprehuar ai.

“Edhe ky vit muaji Ramazan na gjen me përballje me Covid-19 dhe përgëzoj të gjithë ata që ishin në vijën e parë. Zoti ju ruajt nga prekja me këtë virus. Ju ftoj që të respektoni masat dhe ta tejkalojmë këtë sfidë të kohës”, ka përfunduar ai.

Muaji i Ramazanit fillon të martën më 13 prill dhe përfundon më 12 maj. Më 13 maj është dita e Fitër Bajramit.