Ters në “Tomorrowland”/ Pas djegies së skenës kryesore, vdes një grua në mes të festivalit

Një grua 35-vjeçare ka vdekur në “Tomorrowland”, vetëm disa ditë pasi skena kryesore e festivalit belg u shkatërrua nga një zjarr.
Gruaja me prejardhje kanadeze u sëmur në ambientet e festivalit të premten në mbrëmje, dhe pavarësisht se shërbimet e urgjencës arritën ta ringjallnin, ajo më vonë ndërroi jetë në spital.
Në një deklaratë, zyra e prokurorit publik të Antwerpit tha se dyshimet fillestare çojnë në një vdekje të lidhur me konsumimin e drogës.
“Zyra e prokurorit nisi menjëherë një hetim. Gjetjet fillestare tregojnë prova të forta për një vdekje të lidhur me drogën. Një autopsi dhe një ekzaminim i plotë toksikologjik do të japin përgjigje përfundimtare” deklaroi prokuroria.
“Tomorrowland” është një prej festivaleve më të mëdha në botë dhe çdo vit mbledh qindra mijëra fansa të muzikës elektronike.
Këtë vit, duket se festivalin po e shoqërojnë ngjarje ters, sidomos pas djegies së skenës kryesore.