17:27 / E Shtunë, 06 Mars 2021 / OSH

Testet e Covid 19 në Gjermani shiten në supermarket/ Mbarohen rezervat brenda disa orësh

Një rrjet supermarketesh në Gjermani, filloi të shtunën shitjen e testeve të koronavirusit që mund të bëhen vetë, por brenda disa orësh, shumë prej dyqaneve raportuan se rezervat kishin mbaruar.

Supermarketi i ofronte testet për blerje direkt në kasë, me një klient që lejohej të blinte një pako që mbante pesë teste. Shumë dyqane raportuan se i kishin mbaruar rezervat që në mëngjes, edhe pse furnizimi i ri me testet që kushtojnë 25 euro, ishte nisur. Ndërkohë që rrjete të tjera supermarketesh kanë zgjedhur t’i shesin testet online, përmes platformave të tyre në internet, por edhe atje, gjthçka ishte e prenotuar.

Më 24 shkurt, instituti federal për ilaçet dhe pajisjet mjekësore dha miratimet e para për testet anti covid që mund të bëhen në shtëpi. Testet e shpejta vetjake kanë një favor të madh. Ato mund të bëhen lehtësisht në shtëpi, pa nevojën e një specialisti. Nuk nevojiten po ashtu as pajisje të tjera laboratori.

Parimi është i ngjashëm me atë të një testi shtatzënie; pas 15 ose 20 minutash, vijat në test tregojnë nëse personi është pozitiv ose negativ. Sidoqoftë, testet vetjake nuk janë aq të besueshëm sa ata PCR, që analizohen në laborator. Nëse rezultati i një testi antigenesh është pozitiv, instituti Robert Koch kërkon që personi të izolohet menjëherë dhe të kontaktojë mjekun e tij për një test PCR.