75 Mall Live Search
10:31 / E Mërkurë, 16 Dhjetor 2020 / OSH

Testet serologjike prej sot do të bëhen në Qendrën e Shëndetit Publik në Gjilan

Komitetit i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVIDIT-19, nën udhëheqjen e Drejtorit të Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka mbajtur mbledhjen e radhës për vlerësimin e situatës me virusin gjatë dy ditëve të fundit.

Në takim u konfirmua se kohët e fundit Gjilani ka shënuar rënie të numrit të rasteve pozitive, ku aktualisht janë 231 raste aktive.

Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, dr. Ajhane Sefiu, ka deklaruar se pas trajnimit të stafit aty, prej sot do të fillojnë me testet serologjike.

“Fillimisht, do të testohet stafi shëndetësor i shëndetësisë primare dhe sekondare, për të vazhduar me policinë dhe të gjithë qytetarët. Ndërkohë, shumë shpejt do të fillojmë edhe me punimin e testeve për RT-PCR. Jemi të lumtur që kemi arritur në këtë nivel falë aparaturës që na ka ardhur në Gjilan”, ka deklaruar Sefiu.

Ndryshe, gjendja e përgjithshme e përballjes me pandeminë në Gjilan është kjo: nga 7397 teste, 2927 kanë rezultuar pozitivë, 2609 janë shëruar, 86 të vdekur, 232 raste aktive, 55 në spitaldhe 80 mostra në pritje.