Testi i maturës, vetëm në një ditë

Ministria e Arsimit është në përfundim të të gjitha përgatitjeve për organizimin e provimit përfundimtar të maturës, i cili sivjet do të mbahet më 18 qershor. Ky testim do të organizohet vetëm në një ditë, ndërsa nuk janë dhënë detajet se në sa qendra do të mbahet testimi. Njohësit e fushës së arsimit, thonë se ndryshimet në organizimin e testit të maturës janë të nevojshme, pasi janë në të mirën e procesit.
Rreth 24 mijë maturantë pritet t’i nënshtrohen sivjet provimit shtetëror të maturës, i cili do të mbahet vetëm në një ditë, më 18 qershor. Ndërkohë, numri i maturantëve mund të ndryshojë, pasi për këtë provim mund të paraqiten edhe ata të cilët nuk e kanë kaluar testin vitin e kaluar. Këshilltarja për Media në Ministrinë e Arsimit, Iliriana Pylla, tha për Radio Kosovën se Komisioni Shtetëror i Maturës, është në përfundim të të gjitha përgatitjeve për organizimin e këtij provimi.
“Testi do të organizohet vetëm brenda një dite. Ky testim do të përmbajë katër lëndë, siç janë: gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë, ndërsa lënda e katërt është lëndë zgjedhore. Mësimdhënësit, tashmë kanë filluar t’i përgatisin nxënësit për testin e maturës dhe shpresojmë që të arrihen rezultate të mira”, tha Pylla.